AF Elbasani merr jetë, zbulohet kupola drejtuese e klubit të ri. Emrat

“Panorama Sport” zbulon ekskluzivisht edhe emrat që do të kenë në dorë fatet e klubit të ri, të krijuar vetëm pak ditë më parë nga Bashkia e Elbasanit. Qëllimi është i qartë: ndërtimi i një ekipi model dhe ngjitja e shpejtë e kategorive, derisa të kapet elita e futbollit shqiptar.

STRUKTURA

Mësohet se administrator do të jetë Mareglen Çoku, i cili ka për detyrë të ngrejë nga themelet një klub të ri dhe të bëjë organizimin për ndërtimin e skuadrës. Në pankinë do të emërohet Gentian Stojku, një emër i njohur i trajningut shqiptar, i cili për më tepër ka qenë pjesë e skuadrës kampione të verdhebluve që në vitin 2006.

Ndihmës i tij, një tjetër ish-futbollist, Elton Ceno. Ky i fundit ka qenë bashkëpunëtor i Stojkut edhe në ekipet e tjera ku ka drejtuar dhe do të jenë ata që do të kenë “timonin” e skuadrës më të re në qytet.

Sakaq, një tjetër ish-futbollist i Elbasanit kampion, Elvis Kotorri, pritet të mbajë postin e trajnerit të portierëve. Për të vijuar me detyrën e drejtorit teknik, i cili do t’i besohet Elton Guranjakut, edhe ky një ish-futbollist i skuadrës së Elbasanit. Me pak fjalë, e gjithë kupola trajnuese në ekipin e AF Elbasani do të përbëhet nga ish-futbollistë, të cilët më parë kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë bërë historinë me verdheblutë.

Gjithsesi, ende nuk ka një konfirmim zyrtar, pasi për momentin janë duke i dhënë dorën e fundit dokumentacionit. Më pas pritet të bëhen edhe zyrtarizimet. Por, e rëndësishme është që në klub kanë hyrë me ide të qarta për ta dërguar skuadrën sa më parë në nivelet më të larta.

SITUATA

Siç dihet, AF Elbasani do të duhet ta nisë gjithçka nga niveli më i ulët në futbollin shqiptar, Kategoria e Tretë, për të shpresuar më pas te një ringritje sa më e shpejtë në nivelet e tjera. Përpos plotësimit të stafit drejtues, mësohet se kanë nisur kontaktet edhe me lojtarët dhe pak e nga pak pritet që të jetë gati ekipi i ri në qytet.

Nga ana tjetër, të njëjtat burime pohojnë se janë piketuar edhe trajnerët që do të stërvitin ekipet e moshave, pasi qëllimi është që të funksionojë si një klub normal dhe të mos mungojë akademia. Siç dihet, AF Elbasani do të jetë një klub i ri futbolli që aksionere të vetme ka Bashkinë e Elbasanit dhe për momentin financimi do të bëhet nga ky institucion vendor. Më pas, pritet të hyjnë në lojë edhe investitorët privatë.

AF ELBASANI

VLADIMIR MEMA

Nje koment

  1. Pingback: 3enclosed