Maturantët që për arsye nga më të ndryshmet nuk plotësuan dot Formularin A1, si dhe maturantët e vjetër që kanë vendosur t’i futen garës për në universitet, kanë katër ditë afat për të aplikuar. Qendra e Shërbimeve Arsimore hap portalin e maturës duke apeluar të interesuarit që të paraqiten pranë shkollave përkatëse.
Në mbështetje të Ligjit Nr.69 “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.78, datë 08.02.2016 “Për krijimin e maturës shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta”, të Vendimit të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Agjencisë Kombëtare të Provimeve”, …. Urdhëroj miratimin e periudhës së aplikimeve me formularët A1/ A1Z për Maturën Shtetërore 2021 në datat 25 deri më 29 janar 2021″, citohet në urdhrin e firmosur nga drejtohesha e QSHA-së, Rezana Vrapi dhe që u është nisur zonave arsimore vendore për t’u shpërndarë në shkolla.
Ndonëse një pjesë e mirë e gjimnazeve po zhvillojnë mësimin online, aplikimi me formularë, veçanërisht të maturantëve që kanë përfunduar vitet e kaluara kërkon medoemos prezencën e tyre në shkollën përkatëse dhe firmosjen nga ana e mësuesit apo mbikëqyrësit. Urdhri që parashikon afatet shtesë ia lë në dorë shkollave të rregullojnë mënyrën e aplikimeve në periudhë pandemie.