Ministria e Arsimit ka bërë ndryshime në udhëzimin për emërimin e mësuesve. Në dokument është përcaktuar qartë se cili mësues duhet të qëndrojë në punë kur ulet ngarkesa mësimore në një shkollë, si dhe lëvizjet paralele që bëhen me kërkesë të mësuesve për të lëvizur nga një shkollë në tjetrën. Ministria e Arsimit ka bërë ndryshime në udhëzimin për emërimin e mësuesve, pikërisht në muajin kur vendoset për vendpunësimet në arsim.
Dokumenti i firmosur më 8 korrik ka ndërhyrë në dy çështje delikate. Së pari, cakton cili mësues duhet të qëndrojë në punë kur ulet ngarkesa mësimore në një shkollë, si dhe lëvizjet paralele që bëhen me kërkesë të mësuesve për të lëvizur nga një shkollë në tjetrën.
Të dyja këto procedura i nënshtrohen një procesi vlerësimi nga një komision i posaçëm, që ngrihet në shkollë dhe kryhen para se të bëhen punësimet e reja. Por, nëse për këto të fundit pikët merren automatikisht nga portali duke u nisur nga ai që ka grumbulluar më shumë nga dosja dhe testimi, te mësuesit tashmë të punësuar, çështja ndërlikohet. Për ta ka një skemë më vete pikëzimi (sipas tabelës brenda shkrimit), e cila ka dy risi.
Me ndryshimet e reja, notës mesatare nga dhjetë pikë i janë lënë vetëm pesë, ndërsa kualifikimit, që s’është veçse vjetërsia në punë, nga katër pikë vlerësohet me dhjetë. Kështu, midis një mësuesi mjeshtër që pas njëzet viteve punë gëzon shkallën e parë të kualifikimit dhe vlerësohet “mjaftueshëm” në provim dhe një tjetri me pesë vite eksperiencë me rezultate maksimale në fakultet, Ministria e Arsimit i jep përparësi të parit.
Këto janë treguesit që bëjnë diferencën, pasi të dyja bashkë përbëjnë më shumë se gjysmën e totalit të pikëve për çdo vlerësim dosjeje për lëvizje paralele apo kur ulet ngarkesa mësimore. Me uljen e numrit të nxënësve në klasa, janë ulur orët mësimore të mësuesve e rrjedhimisht çdo vit shumë prej tyre mbeten të papunë.
Këtë fakt më keq nga të gjithë e kanë pritur mësuesit e vjetër, që nevojitet të futen në testimin për t’u rankuar në portal, si e vetmja mënyrë për t’u punësuar.
Pjesë e dosjes profesionale që gjykon për mësuesit që ngelen jashtë dyerve të shkollës janë edhe dëshmia e njohjes së gjuhëve të huaja, nga e cila një mësues nuk merr më shumë se katër pikë, certifikatat e trajnimeve, vlerësimi i përfaqësuesve të prindërve, të psikologes dhe punonjësit social në shkollë dhe drejtorit të shkollës, që kanë përkatësisht nga dy pikë, shkruan Panorama. Maksimali që mund të mbledhë një mësues nga dosja është 27 pikë.