Ndeshja gjysmëfinale e Kupës mes Bylisit dhe Tiranës që ngriti edhe njëherë dyshimet e mëdha për trukime ka bërë që kompanitë e huaja të mos kuotojnë më sfidat e futbollit shqiptar në baste. Prej vitesh futbollin shqiptar e kanë rrethuar dritëhije dhe dënimi i Skënderbeut ishte një damkë e zezë, ndërsa tani duket se historia po përsëritet.
Por këtë herë me faktin që ndeshjet të mos kuotohen më as në kompanitë ndërkombëtare të basteve. Kjo është e verifikueshme duke iu referuar dy ndeshjeve të ditës së dielë në Superliges, mes Laçit dhe Flamurtarit dhe Luftëtarit me Vllazninë. Asnjë ‘bookmaker’ nuk i ofron koeficientët e ndeshjeve” edhe pse ndodhemi 24 orë para nisjes së tyre.
Në Shqipëri është e ndaluar të vihen baste, por edhe në kohën kur këta ishin të lejueshme ishte e vështirë të luajë ndeshje të kampionatit shqiptar. Ato kompani të cilat i kuotonin pranonin baste të ndeshjeve shqiptare vetëm në rastet kur ata kombinoheshin me të huajat.