Pedagogia e Elbasanit Teuta Toska: Këtë test nuk e ka bërë një njohës i gjuhës shqipe. Ja mangësitë e theksuara

Sipas pedagoges dhe studiueses së gjuhës Teuta Toska, testi i provimit të Maturës Shtetërore në lëndën Gjuhë shqipe dhe Letërsi kishte shumë pasaktësi stilistikore apo formuluese. Ne sjellim analizën që ajo ka bërë për këtë rast. “Fillova të lexoj testin e gjuhës shqipe. Dy faqet e para. Jo më shumë. Ndjesia ime e përgjithshme është që testi është hartuar nga dikush që ose e ka përkthyer tipologjinë dhe tekstin e pyetjes nga një gjuhë tjetër edhe e ka përshtatur trashë në shqip, ose testhartuesi është i formuar në shkolla të huaja dhe ka filluar punë prej pak kohësh në administratën shqiptare.

Vetëm dy pyetjet e para për të argumentuar pse testi nuk është shqip dhe të kuptojmë profilin e atij që e ka hartuar, sipas parimit që “Le style c’est l’homme” (Stili është njeriu, Buffon)

1. Pyetja e parë: “Cila nga alternativat e mëposhtme është një tezë e përshtatshme dhe efektive për një ese bindëse që lidhet me vullnetarizmin”?

Ne themi “temë” për një ese dhe jo “tezë”. Nëse në tekstet e shkollës së mesme përdorin këtë fjalë, po e përdorin jo në përputhje me Fjalorin e shqipes. Pastaj, si mund të thuash “tezë efektive”? Në shqip nuk do të shpreheshim kështu. Mund të thoshim “prodhimtare”, “e frytshme”, ose të jepnin një formulim tjetër. Mjafton të themi “e përshtatshme dhe e mirë”. Ose vetëm “e përshtatshme”. Pastaj ajo “që lidhet me” nuk ka vend aty: “një ese bindëse PËR vullnetarizmin” mjafton në shqip.

2. Pyetja e dytë: “Cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil aksionin e nisur në paragrafin e dhënë më sipër?” Koncepti i “aksionit” është një çudi, sepse ajo që po bëjnë personazhet nuk është një “aksion”. Habitesh si mund të quhet një “aksion” një aventurë në një barkë në lumë të rrëmbyer. Por ti ndriçohesh pak kur kupton se hartuesi i tezës mendon anglisht dhe shkruan shqip, dmth kemi një përkthim i “action” i anglishtes. Në shqip do të thoshim “veprim”.

Në fakt, kjo pyetje ka një problem logjik. Nëse flet për “stil”, pra për mjete gjuhësore, nuk do të flasësh për veprim/aksion pastaj. Kjo çorodit çdo shqiptar. Edhe mua kur e lexova në fillim. Pra, pyetja në shqip duhet të ishte: “cila nga fjalitë e mëposhtme mund të vijojë në të njëjtin stil mënyrën e rrëfimit të aventurës së personazheve në paragrafin më sipër?”

Tani diçka për atë që e ka shkruar atë paragraf. Ai gëlon nga pasaktësi stilistikore. Është e qartë që është një improvizim i testhartuesit/ve. Në shqip nuk themi “bërtet”, por “klithnin nga euforia”. Nëse po përshkruan një ngjarje me emocione, nuk mund të përdoresh togje të stilit administrativ ose shkencor, të tipit “në lidhje me”. D.m.th. shqip në atë stil do të shkruhej “Madje edhe Turi, i cili fillimisht ishte ndier i shqetësuar për udhëtimin me barkë…” (edhe ajo “fillimisht” s’shkon këtu)

Pra, këto togje parazite për stilin letrar (“efektive”, “që lidhet me”, “në lidhje me”), por të natyrshme për stilin administrativ, më forcojnë pikëpamjen time se hartuesi i dy faqeve të para të këtij testi nuk ka studiuar për pragmatikë, stilistikë, leksikologji shqipe, por mund të ketë studiuar komunikim në një universitet të huaj, larg Shqipërisë, ose në një nga këta privatët tanë këtu, por në gjuhë të huaj.