Dita e djeshme ishte një ditë mjaft e nxehtë në Shqipëri edhe pse qielli ishte me re, duke mos lejuar depërtimin e diellit. Temperatura ishte e lartë dhe ajri plot lagështirë, duke na kthyer në mendje ditët e nxehta të verës. Kështu për shembull, temperatura shënoi 34 gradë në Kuçovë dhe 35 gradë në Tiranë.
Sipas meteorologëve kjo situatë erdhi si pasojë e ndërhyrjes së rrymave të nxehta nga Saharaja, duke e cilësuar kështu si valën e parë të nxehtë të këtij viti. Këto rryma do të vijojnë të qarkullojnë edhe ditën e sotme. Orët në vijim si dhe deri në mesditën e së premtes era e vrullshme jugore do të sjellë temperatura të larta dhe zagushi, pasi vranësirat shtresore do të mbeten prezente gjatë natës dhe mëngjesit të nesërm.
Në mesditë, jugu i vendit parashikohet të shënojë vlerat më të larta të temperaturave. Era do të humbë forcë mesditën e së premtes, po kështu dhe valëzimi në dete. Temperaturat parashikohen në: zonat malore 18º deri 30ºC zonat e ulëta 21º deri 34ºC zonat bregdetare 21º deri 31ºC