Këshilli Bashkiak i Elbasanit në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak miratoi disa ndryshime të disa taksave dhe tarifave vendore për vitin 2020. Këto ndryshime u panë të domosdoshme për krijimin e lehtësirave fiskale ndaj biznesit në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së Covid 19. Bashkia e Elbasanit vendosi që për periudhën Mars-Maj 2020 bizneseve do t’u falet taksa e zënies së hapësirës publike; bizneset për periudhën Mars-Maj 2020 përjashtohen gjithashtu nga detyrimi për të vetëdeklaruar numrin e netëve të qëndrimit në hotel dhe përjashtim nga detyrimi i pagesës së tarifave të shërbimit në tregje për periudhën Mars-Maj 2020.
Por në varësi të ecurisë së situatës Kryetari i Bashkisë Z. Llatja sqaroi se deri në fund të korrikut (kur është afati përfundimtar për pagesën e taksave) Bashkia e Elbasanit ka ende kohë të rishohë Paketën e saj Fiskale dhe të bëjë ndryshime të tjera nëse lind nevoja.
Gjithashtu Llatja tha se Bashkia e Elbasanit po asiston bizneset në këtë periudhë përgatitore për hapje. Po merren të gjitha masat që bizneset t’i rikthehen punës, tha Llatja, me kushtet e reja të vendosura.
Po ashtu, Këshilli Bashkiak miratoi edhe kalimin e ushqimeve nga Qendra Ekonomike dhe e Arsimit në Qendrën Balashe. Ushqimet që ishin blerë dhe do të shërbenin për kopshtet dhe çerdhet, tashme gjenden të magazinuara. Për të evituar skadimin apo prishjen e tyre, bashkia vendosi që ato të përdoren në Qendrën Sociale Balashe për nevojat e Shtëpisë së të Moshuarve apo për nevojat e përfituesve të vakteve falas (aktualisht 130 përfitues çdo ditë).