Erleta Hila, mjeke mikrobiologe përballet çdo ditë me sfidën e infektimit nga COVID 19. Nga dita e parë e marrjes së mostrave, për Erletën dhe stafin e saj, vështirësisë nuk kanë munguar. Ajo drejton sektorin e shërbimeve epideomoligjike pranë Shëndetit Parësor në Elbasan. Aktualisht në Elbasan janë marrë rreth 412 mostra nga të cilat 20 kanë rezultuar pozitivë.
“Kam 8 vjet që punoj si mikrobiologe. Kjo situatë ishte e pazakontë dhe e pamenduar më parë për mua dhe për të gjithë punonjësit që janë në vijën e parë. Unë e konsideroj një betejë qysh nga dita e parë e konfirmimit dhe marrjes së mostrave në 9 mars e deri sot”.
Mjekja Hila tregon se muaji mars i ka vendosur përballë zgjedhjeve të vështira mes fluksit të lartë të qytetarëve që telefononin në numrin 127: “Duhet të seleksiononim rastet dhe të analizonim ato që duhet të ishin prioritare dhe sigurisht të merrnim mostrat. Prilli ka qenë edhe më intensiv sidomos në marrjen mostrave”.
Në fillim të prillit ndryshoi dhe mënyra e të testuarit. Ajo shton se me fillimin e muajit prill ndryshoi dhe mënyra e testimit: “Ndërkohë testohen të gjithë ata që mjeku i familjes i referon raste me temperaturë dhe me shenjat e COVID.
Në këto kohë kjo merr rëndësi pasi virusi tani nuk është vetëm për rastet që vinin nga emigracioni apo kontaktet e tyre të afërta, por mund të qarkullojë tek të gjithë”. Vështirësitë për grupin në terren kanë qenë nga më të ndryshmet. Ka pasur raste kur qytetarët nuk kanë refuzuar bërjen e testit ose nuk kanë treguar personat e kontaktit: “Për fat të keq ka pasur raste të tilla që na e kanë bërë më të vështirë punën e gjurmimit. Një prej tyre madje kërkoi sërish ndihmën e personelit shëndetësor pasi iu shfaqen simptomat edhe pse ishte rast kontakti”.
Erleta thotë se shpesh i është dashur jo vetëm të bëjë rolin e mjekes, por edhe të psikologes. “Nuk na tregojnë për shenjat klinike. Kemi pasur raste që nuk kanë treguar për simptomat. Më pas kanë dalë me shenja klinike. Ka dyshuar që ka qenë COVID pozitiv dhe nuk ka dashur të bëjë testin. Vetëm kur është ndjerë keq atëherë ka bërë testin dhe sigurisht ka dalë pozitiv”.
Mjekja tregon se hallka e komunikimit me mjekët e familjes ja ka bërë më të lehtë punën stafit. “Komunikimi me mjekët e familjes ka qenë i ngushtë. Në momentin kur unë gjurmoj, të dhënat ja kërkoj mjekut të familjes. Ato bëjnë edhe ndjekjen e personit gjatë 14 ditëve të karantinës”. Qysh nga rasti i parë stafi i epidemilogëve të Parësorit në Elbasan kanë jetuar fŕikën dhe tensionin e infektimit. Erleta tregon se fakti që shumë janë infektuar nga personeli shëndetësor edhe pse masat kanë qenë strikte, ka bërë që shqetësimi i infektimit të jetë i përditshëm.
“Unë jam munduar që përgjegjësia dhe puna të jetë e shpërndarë tek i gjithë stafi. Sigurisht, fŕika na shoqëron në çdo moment. Shqetësimi si të vishemi, si të zhvishemi. Dyveku dhe skafandra, dezinfektant(alkool) dhe dorezat na shoqërojnë gjatë marrjes së mostrave. Ndihmojmë njëri-tjetrin në heqjen e veshjeve. Tashmë maska është bërë pjesë e veshjes nga mëngjesi e deri në darkë kur kthehem në shtëpi”.
Erleta është nënë e dy vajzave 4 dhe 8 vjeç, që e presin çdo mbrëmje në shtëpi duke e bërë më të vështirë gjendjen emocionale të saj në përballje me familjarët. “Nga 9 marsi unë nuk e njoh ditën e pushimit, madje telefoni im në fillesa vazhdonte deri në 12 të natës. Unë në shtëpi kam edhe dy të moshuar. Prandaj prej punës që bëj duhet të shqetësohem shumë më tepër për mundësinë e infektimit të tyre. Familja e përjeton stresin tim të ditës, madje vajza e vogël që nuk e kupton dot situatën, më thotë shpesh ‘qesh mami’. Kujdesi ynë është shumë i madh por duke mos përjashtuar mundësinë e infektimit, besimi në Zot na shoqëron edhe në punën tonë”.
Nga 382 të testuar, më shumë se gjysma e kanë përfunduar kohën e izolimit dhe lejohen të dalin të punojnë ndërkohë pjesa tjetër duhet të rrijë ende në karantinë. Për zbatimin e karantinës së pjesës tjetër i mbetet mjekut të familjes një pjesë e rëndësishme e punës. “Dimë që mjekët e familjes duhet të bashkëpunojnë shumë fort me inspektorët e lagjeve që këta persona të rrinë në vetë izolim dhe në rast simptomash të telefonojnë 127-tën.
Mund të ketë shumë zëra që këta persona nuk e respektojnë kohën e vetë izolimit por kjo mbetet për tu verifikuar. Për mendimin tim e vetmja zgjidhje është ndërgjegjësimi i njerëzve që të respektojnë maksimalisht karantinën për të mos u bërë shkak për infektimin e të tjerëve, pasi të parët që infektohen janë rrethi i afërt familjar”. Mjekja thotë se nga gjurmimi i 9 vatrave vetëm 4 kanë shfaqur lidhje me njëra-tjetrën. Vatrat e fundit në Elbasan nuk kanë ende një burim infektimi. /Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan/