Qarku i Elbasanit konsiderohet ndër zonat me vatra aktive të COVID 19 në Shqipëri. Aktualisht janë 9 vatra ku vetëm 4 konsiderohen të lidhura me njëra-tjetrën ndërsa të tjerat nuk kanë ende një burim infektimi. Ekipi i ekspertëve të vijës së parë pranë Shëndetit parësor ka kryer 382 teste, nga të cilat tani janë konfirmuar 20 të infektuar me COVID.
Sipas të dhënave zyrtare 8 konsiderohen të shëruar dhe kanë dalë nga karantina. Strukturat shëndetësore të vijës së parë në Elbasan i kanë konsideruar dy muaj sfidë në përballje me të panjohurën. Marrja e mostrave, gjurmimi i rasteve, lidhja e vatrave të infektimit si dhe mbrojtja sa më shumë nga virusi janë e përditshmja e një stafi që punon me përkushtim në një luftë me shumë të papritura.
Ndërkohë mjekët dhe infermierët e qendrës spitalore “Xhaferr Kongoli” janë përshtatur, kanë modifikuar komunikimin e tyre me pacientët, janë organizuar dhe po përballen në pavijone të veçanta edhe me të papritura që venë në rrezik shëndetin e tyre.
Edhe pse numri i pacientëve është përgjysmuar dhe në pak pavijone gjen të shtruar, kjo mënyrë e re e ndërveprimit me pacientët konsiderohet një zgjidhje në kohën e COVID. Vetë strukturës së qendrës spitalore e cila ka vetëm dy specialistë për pandemitë (një infeksionit dhe një pneumlog) i është dashur përshtatja si në organizimin e punës brenda reparteve dhe pavijoneve ashtu edhe në dezinfektimin e ambienteve.
Edhe pse ende ka shqetësim në fytyrat e mjekëve dhe infermierëve për një virus që vazhdon të jetë i rrezikshëm për të gjithë, ata konfirmojnë faktin që kjo pandemi shënoi një fazë të re në marrëdhënien mjek-pacient veçanërisht në Shqipëri. Autore: Bardha Nergjoni | Citizens Channel | Elbasan