Dhe Handanoviç gjatë viteve të fundit kishte regjistruar shifra më të larta të ndeshjeve me portën e paprekur. Ky, megjithatë, është një rast ku shifrat nuk tregojnë gjithçka, sepse version 2019-‘20 i zikaltërve (më vertikalë, më pak zotërim topi, shumë hapësirë pas qendërmbrojtësve) rrezikon të pësojë ndonjë gol më shumë me kusht që të shënojë. Në Serinë A mbetet në maja (24 gola të pësuar kundër 23 të Lacios, që ka luajtur një ndeshje më shumë), në Europë mund të bëjë diçka më mirë.
Por, sektori i prapavijës mbetet një nga më “të mbuluarit” të skuadrës, me sigurinë De Vraj dhe “xhevahirët” Shkriniar e Bastoni për të vlerësuar. Pavarësisht kësaj e duke konsideruar edhe vështirësinë në përshtatje të Diego Godinit (i cili mund të largohet), drejtuesit zikaltër kërkojnë rrugë të tjera.
RRUGË E DYFISHTË – Dy profilet për të përforcuar murin janë piketuar dhe i përgjigjen mirë filozofisë që Konte po ndjek për të rritur skuadrën: nga njëri krah të shtojë eksperiencën ndërkombëtare dhe ambientimin me nivelet e larta, në tjetrin të investojë te të rinj që të mund të ndërtojnë një “shtyllë kurrizore” për të ardhmen.
Në këtë kuadër Marash Kumbulla është i përzgjedhuri. Negociatat e Interit kanë nisur, por për ta transferuar në Milano do të duhet të mposhtet një konkurrencë e ndezur, mbi të gjitha nga jashtë Italisë. Përtej mbrojtësit të Kombëtares do të kërkohet edhe një element me eksperiencë, pavarësisht moshës, dhe që të jetë i aftë të luajë në linjën me 3 mbrojtës: këtu i duhuri do të ishte Jan Vertongen.
TRIOJA E SË ARDHMES – Duke u rikthyer te Kumbulla, 20 vjeç, i lindur në Itali, por me kombësi shqiptare, disa muaj më parë akordi dukej të ishte gjetur mbi bazën e 20 milionëve. Sot nevojitet diçka më shumë: nëse është e vërtetë që lojtari preferon zgjidhjen zikaltër kundrejt pretendenteve italiane (me Napolin në krye), gjatë javëve të fundit Veronës i kanë ardhur edhe “ambasadorë” nga Evertoni i Ançelotit dhe Totenhemi i Murinjos.
Mjaftueshëm për t’i shtuar vlerën, që sot u afrohet më shumë 30 milionëve. Një merkato pas periudhës së Koronavirusit mund të shërbejë për të ulur shifrat, por Interi më shumë se te kjo synon te dy armë për të bindur klubin dhe lojtarin. Me Veronën raportet janë të mira dhe ekziston mundësia për të rinovuar huazimet e Dimarkos dhe Salsedos ose ndoshta mund të përfshihet një shkëmbim i pëlqyer.
Kumbulla, ndërkohë, mund të joshet nga mundësia për të hedhur bazat e një linje mbrojtjeje me perspektivë interesante. Një trio e ndërtuar nga ai, Bastoni e Shkriniar mund të zgjasë gjatë. Për më shumë pëlqehet nga Konte për nga aftësia që zotëron në përshtatjen me mbrojtjen me 4 po ashtu edhe atë me 3 lehtësisht./PANORAMASPORT