Mbyllja e Senatoriumit të Tiranës për pacientët që kanë probleme me rrugët e frymëmarrjes ka sjellë problemet e para.
Pacientët që kanë qenë me kartelë kanë nisur transferimin në spitalin e Elbasanit.
Por rastet urgjente kanë mbetur pa zgjidhje. Një grua 68-vjeçare nga Tirana me probleme në frymëmarrje ka mbetur e bllokuar prej dy orësh në autombulancë para spitalit të Elbasanit.
Vajza e saj tregon se e dërguan sot te Senatoriumi por një mjek atje u tha se spitali tani është në dispozicion të COVID 19 dhe duhet të shkojnë në Elbasan.
Por siç tregon ajo nga Urgjenca e Elbasanit u nxorën me dhunë pasi u thonë që për ta pranuar të moshuarën duhet të ishte shtruar më parë te “Shefqet Ndroqi”, shkruan Oranews.
“Thotë nuk e pranojmë se duhet të ishte shtruar në Senatorium. Ne e çuam atje dhe thanë merrni ambulancën dhe direkt për Elbasan. E sollëm këtu dhe thonë çojeni më tutje. Na kanë nxjerrë me dhunë nga Urgjenca në Elbasan.
Ka dy orë që është në ambulancë. Nëna e ka bërë testin mbrëmë për koronavirusin dhe ka dalë negativ. Nuk është mirë se ka probleme me rrugët e frymëmarrjes”.
Më herët në spitalin e Elbasanit u transferuan katër pacientë të spitalit “Shefqet Ndroqi”.