Shkarkohet mjeku i urgjencës Ilir Allkja: Unë sonte jam në punë, 2 personat që po hakmerren ndaj meje

Mjekut të urgjencës, Ilir Allkja i cili pak ditë më parë nxiti reagime pasi deklaroi se mjekët nuk janë të pajisur me mjete mbrojtëse dhe se janë në rrezik të vazhdueshëm të infektohen me COVID 19, i është komunikuar sot largimi nga puna.

Në një prononcim për Faxweb, mjeku Allkja u shpreh se kjo është hakmarrje e ulët e Ramës dhe që ai do të vijonte të ishte në punë deri në një vendim me shkrim nga ana e drejtorisë.

“Nuk më kanë dhënë ende një vendim me shkrim, ndaj sot unë jam në punë. Kjo është një hakmarrje e ulët e Edi Ramës dhe Skënder Bratajt në ditët më të zeza që po kalon vendi ynë kur kemi më shumë se kurrë nevojë për mjekë. Kjo vetëm pse kam marrë pjesë në protestat e opozitës“, u shpreh ai për faxweb.al

Mjeku Allkja tha se ky vendim arbitrar i pamotivuar i është komunikuar gojarisht nga Ali Xhixha, përgjegjësi i Urgjencës paraspitalore të QSUT.

Në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë për shkak të pandemisë së COVID 19, qeveria u ka bërë apel dhe mjekëve në pension dhe mjekëve praktikantë të bashkohen me personelin mjekësor në përballimin e situatës, ndaj humbja e një mjeku me eksperiencë, pa motive të qenësishme duket luks i tepruar.

Deri më tani në Shqipëri rezultojnë 38 të infektuar me virusin COVID 19, ndërsa një grua 73 vjeç nga Durrësi humbi jetën disa ditë më parë.

Qeveria shqiptare ka marrë masa ekstreme parandaluese, nga mbyllja e shkollave, aktiviteteve tregtare (përveç pikave ushqimore dhe farmacive) deri tek ndalimi i lëvizjeve të automjeteve në rrugët e vendit.

Gjithashtu Rama dhe personeli mjekësor u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të rrinë në shtëpitë e tyre për të ndaluar përhapjen e shpejtë të një virusi të rrezikshëm dhe të panjohur më parë për njerëzimin. Deri më tani numërohen 5400 vdekje nga ky virus dhe mbi 140 mijë të prekur./faxweb/