Operacion në gjithë Qarkun Elbasan, për kontrollin e serave, tuneleve, ish-reparteve ushtarake, zonave të pyllëzuara, banesave të braktisura, ambienteve të mbyllura, magazinave, vilave e banesave të dyshuara, me qëllim parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni, pas detyrave të dhëna një ditë më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.
Në operacionin masiv që ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe është në vijim janë duke kryer kontrolle në terren, 33 grupe kontrolli, ku janë angazhuar 165 punonjës policie të strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan.
Gjatë kontrolleve të territorit dhe ambienteve, deri tani nuk është konstatuar ndonjë rast i kultivimit të bimëve narkotike.
Ndërkohë, po në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, Policia Kriminale dhe specialistët e policisë së zonave po grumbullojnë informacion në lidhje me personat me tendencë kriminale në fushën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, me qëllim parandalimin në kohë të çdo tentative për të kultivuar kanabis.
Kontrollet janë shtrirë në Elbasan, Librazhd, Gramsh, Cërrik dhe Peqin, në zonat malore dhe në ato zona ku vitet e kaluara janë cilësuar me rrezik.
Kontrollet do të vazhdojnë edhe në javët e muaj në vijim.