Faza delikate e sezonit, Elbasani me kalendar të ngjeshur për dy objektivat

Skuadra e Elbasanit përgatitet për një periudhë shumë intensive, me disa ndeshje të rëndësishme që mund të ndikojnë ndjeshëm në objektivat e sezonit. Verdheblutë do të duhet të ndajnë energjitë mes kampionatit dhe Kupës së Shqipërisë.

Sfida e parë në këtë seri është më 18 prill, kur Elbasani udhëton për t’u përballur me Teutën në kuadër të kampionatit. Një transfertë delikate për elbasanasit, që kërkojnë pikë të rëndësishme për renditjen. Vetëm pak ditë më vonë, më 22 prill, Elbasani do të rikthehet në fushë për një tjetër duel të fortë, këtë herë në Kupën e Shqipërisë.

Verdheblutë do të presin Egnatian në një përballje që pritet të jetë shumë e luftuar, duke pasur parasysh rëndësinë që ka kompeticioni për të dyja skuadrat. Pas ndeshjes së Kupës, fokusi rikthehet sërish te kampionati. Më 27 prill, Elbasani do të presë në shtëpi Vllazninë, një tjetër përballje e fortë kundër një rivali me objektiva të mëdha në sezon. Muaji maj nis me një transfertë ndaj Vorës më 2 maj, ndërsa më 6 maj elbasanasit do të luajnë sërish jashtë fushe kundër Bylisit.

Seria e ndeshjeve mbyllet më 10 maj me një tjetër sfidë të rëndësishme, kur në Elbasan do të mbërrijë Tirana, në një duel që gjithmonë prodhon rivalitet dhe interes të madh. Me një kalendar të ngjeshur dhe kundërshtarë të fortë, Elbasani do të duhet të menaxhojë mirë forcat dhe rotacionin e skuadrës për të marrë maksimumin nga këto përballje vendimtare.

PANORAMASPORT.AL