Muaji prill pritet të jetë vendimtar për Elbasanin, një periudhë që mund të përcaktojë fatet e gjithë sezonit për verdheblutë. Mes kampionatit dhe Kupës, skuadra hyn në një fazë ku çdo ndeshje ka peshë të shumëfishtë dhe ku gabimet nuk falen. Kalendar i ngjeshur, përballje direkte me rivalët dhe objektiva të mëdha në lojë, gjithçka e bën këtë muaj më të rëndësishmin deri tani.
KALENDARI – Janë plot gjashtë sfida që e presin Elbasanin në prill, të gjitha me kundërshtarë të fortë dhe pretendentë. Dy prej tyre janë në Kupë, përballë Egnatias në gjysmëfinale, ndërsa katër të tjerat në kampionat, kundër ekipeve që synojnë titullin apo zonën europiane. Gjithçka nis me transfertën ndaj Dinamos, një përballje që kërkon vëmendje maksimale, pasi çdo hap fals në start mund të ndikojë në moralin e grupit. Më pas, verdheblutë rikthehen në shtëpi për të pritur Partizanin, në një duel të fortë dhe me ritëm të lartë, ku diferencat janë minimale dhe episodet shpesh vendosin rezultatin. Në vijim, Elbasani udhëton drejt Durrësit për t’u përballur me Teutën, një skuadër që në fushën e saj fiton shumë forcë dhe di të vërë në vështirësi çdo kundërshtar. Paralelisht, vëmendja ndahet edhe te Kupa, me dy sfidat ndaj Egnatias, që përveç rëndësisë për një trofe, mbartin edhe presionin e një eliminimi direkt. Muaji mbyllet me një tjetër ndeshje të madhe, atë ndaj Vllaznisë në “Elbasan Arena”, një përballje që mund të ketë peshë vendimtare për objektivat finalë dhe që pritet të luhet në një atmosferë të zjarrtë.
MENAXHIMI – Në një kalendar kaq të ngjeshur, diferencën shpesh nuk e bën vetëm cilësia, por edhe menaxhimi. Stafi teknik do të duhet të administrojë me kujdes energjitë e skuadrës, duke bërë rotacion aty ku është e nevojshme, pa humbur ekuilibrin në fushë. Lodhja fizike është një faktor real, por edhe ajo mendore mund të ndikojë ndjeshëm. Përballje të njëpasnjëshme me rivalë direktë kërkojnë përqendrim maksimal dhe aftësi për të reaguar menjëherë pas çdo rezultati, qoftë pozitiv apo negativ. Ky muaj do të nxjerrë në pah edhe një element tjetër të rëndësishëm: pankinën. Jo vetëm titullarët, por edhe lojtarët që vijnë nga stoli do të kenë rol vendimtar. Në ndeshje të tilla, shpesh janë detajet që bëjnë diferencën dhe freskia e lojtarëve të aktivizuar gjatë lojës mund të jetë arma shtesë e Elbasanit.
RËNDËSIA – Fakti që të gjitha këto ndeshje janë kundër rivalëve direktë e rrit edhe më shumë rëndësinë e tyre. Çdo fitore, jo vetëm që sjell pikë për Elbasanin, por njëkohësisht u heq pikë kundërshtarëve. Pra, janë duele që ndikojnë drejtpërdrejt në renditje dhe në balancat e kampionatit. Kjo e bën prillin një muaj ku mund të fitosh shumë terren, por edhe ku një seri rezultatesh negative mund të të penalizojë ndjeshëm. Për Elbasanin, sfida kryesore do të jetë ruajtja e vazhdimësisë. Në një seri ndeshjesh kaq të vështira, edhe barazimet mund të kenë vlerë, por skuadra do të synojë të marrë maksimumin në momentet kyçe, sidomos në ndeshjet brenda. Mbështetja e tifozëve në “Elbasan Arena” pritet të jetë një faktor plus, sidomos në përballjet direkte, ku atmosfera mund të ndikojë ndjeshëm në performancën e ekipit.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.