Këshilli i Qarkut Elbasan organizoi një ceremoni solemne në nderim të katër personaliteteve të shquara të klerit mysliman, Hafiz Ismail Dervishi, Hoxhë Qazim Hazizi, Hafiz Shuaip Musa Pasho dhe Mustafa Rifat Dauti, të vlerësuar pas vdekjes me titullin “Mirënjohja e Qarkut Elbasan”.
Në ceremoni morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, drejtues të Myftinisë së Elbasanit, familjarë dhe të ftuar.
Kryetarja e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, u shpreh se ndihej e privilegjuar që, në drejtimin e institucionit, kishte mundësinë të nderonte figura që përmes veprës së tyre kanë lënë gjurmë në historinë e Elbasanit dhe të qarkut. Ajo vlerësoi veçanërisht traditën e tolerancës, mirëkuptimit, vëllazërisë, paqes dhe harmonisë fetare, duke theksuar se këto vlera mbeten të rëndësishme edhe sot.

Sipas Urupit, nderimi i katër personaliteteve është një mënyrë për të ruajtur dhe përcjellë te brezat e rinj një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë fetare, kulturore dhe qytetare të Elbasanit.
Myftiu Duka: Po nderojmë një histori dhe një trashëgimi
Myftiu i Elbasanit, Agim Duka, falënderoi Këshillin e Qarkut dhe në mënyrë të veçantë kryetaren Urupi për këtë nismë.
Ai theksoi se vlerësimi nuk është vetëm për katër individët, por përfaqëson nderimin e një historie dhe një trashëgimie të përcjellë ndër breza.
“Figurat tona fetare kanë qenë pranë njerëzve në ditë të vështira, kanë ruajtur dhe përcjellë vlerat e besimit, moralit, familjes, arsimit dhe solidaritetit”, u shpreh Duka, duke vënë në dukje edhe rolin e tyre në ruajtjen e besimit gjatë periudhave të vështira.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve fetare në Elbasan, ndërsa iu drejtua familjarëve duke nënvizuar se certifikata e mirënjohjes është një dëshmi publike e vlerësimit, ndërsa gjurma që njeriu lë përmes veprës së tij mbetet vlerësimi më i rëndësishëm.
Renato Haxhiaj: Kontributi i tyre i shërbeu të gjithë komunitetit
Në fjalën e tij, zëvendëskryetari i Bashkisë Elbasan, Renato Haxhiaj, vlerësoi figurat e nderuara si njerëz të ditur, të shkolluar dhe të dobishëm për shoqërinë.
Ai theksoi se kontributi i tyre nuk ishte i kufizuar vetëm te komuniteti mysliman, por u shtri te e gjithë shoqëria ku ata jetuan dhe vepruan.

Haxhiaj falënderoi kryetaren e Këshillit të Qarkut, Ermira Urupi, Këshillin e Qarkut dhe Myftininë e Elbasanit, si dhe Myftiun Agim Duka, për organizimin dhe për vlerësimin e këtyre figurave të rëndësishme të historisë së qytetit.
Në përfundim, familjarët e katër personaliteteve shprehën mirënjohjen e tyre për Këshillin e Qarkut dhe Myftininë e Elbasanit, duke vlerësuar nderimin e kujtimit dhe veprës së të afërmve të tyre. Ata e cilësuan këtë vlerësim si një dëshmi të rëndësishme publike për kontributin që figurat e nderuara kanë dhënë ndër vite.
Certifikatat e titullit “Mirënjohja e Qarkut Elbasan” iu dorëzuan familjarëve të katër personaliteteve
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.