Nga Prof. As.Dr. Zhuljeta KADILLI: 25 Nëntor! Përse Elbasani parapriu shpalljen e Pavarësisë

Nga Prof. As.Dr. Zhuljeta KADILLI

Edhe pak ditë na ndajnë nga festa e 28 Nëntorit, ditës së Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.  Kjo datë simbolizon në vetvete  një veprim që  mundësoi për herë të parë krijimin e shtetit të pavarur pas 500 vjetëve të  sundimit osman. Shpallja e Pavarësisë erdhi jo vetëm si rezultat i luftës së popullit shqiptar, por edhe  krijimit të situatës ndërkombëtare  dhe qëndrimit dashamirës të Austro-Hungarisë veçanërisht. Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte një akt politik mjaft i rëndësishëm, kjo për faktin se i dha fund një epoke luftrash e përpjekjesh dhe njëkohësisht hapi një epokë të re, atë të mbrojtes tashmë të vendit nga problemet e brendshme e të jashtme. Akti i 28 Nëntorit sanksionoi të drejtën e kombit shqiptar për të qenë i bashkuar dhe i lirë në trojet e veta. Por cilat janë disa nga zhvillimet politike që çuan në këtë akt?

Fillimi i Luftës së Parë Ballkanike ndikoi në përkeqësimin e situatës në territoret shqiptare dhe krijoi një situatë të favorshme për shqiptarët, të cilët me kujdes dhe maturi mund të shfrytëzonin në favor të tyre kontradiktat ndërmjet Fuqive të Mëdha. Njëkohësisht duke vlerësuar situatën e krijuar shqiptarët mund të gjenin aleatët e duhur ndërkombëtarë për të realizuar qëllimet e tyre. Në pamje të parë kjo luftë e të tjerat më pas, duket sikur  drejtoheshin kundër Turqisë dhe po krijoheshin premisa  për bashkimin kombëtar të popujve të Ballkanit. Por, koha tregoi se synimi i shteteve të Ballkanit, veçanërisht Serbisë, Greqisë, Malit të Zi ishte kundër Shqipërisë. Avancimi i Luftës së Parë Ballkanike, i dha shtysë bisedimeve të tyre për ndarjen e trashëgimisë territoriale osmane. Bisedimet u intensifikuan në fund të tetorit, kohë kur Fuqitë e Mëdha u tërhoqën nga qëndrimi i tyre i mëparshëm dhe deklaruan prishjen e status quo-së në Ballkan. Pikërisht në këtë moment, duke shfrytëzuar edhe kontradiktat midis Fuqive të Mëdha, sipas studiuesve, u kalua nga platforma autonomiste në atë të pavarësisë. Kjo, pasi shtetet e Ballkanit nuk u mjaftuan vetëm me të drejtën që mbartnin për të bashkuar me shtetin amë territoret që ndodheshin nën sundimin osman. Ato kërkuan gjithashtu të mohonin e të merrnin peng edhe të drejtën e popullsive të tjera që ende nuk e kishin krijuar shtetin e tyre të pavarur, si shqiptarëve e maqedonasve. Në këtë kontekst qeverija serbe deklarohej hapur kundër krijimit të një shteti shqiptar, qoftë ky dhe autonom. Nisur nga ky qëllim, forcat serbe të Armatës së Tretë, ende pa u shpallur lufta nga Serbia sulmuan drejt Podujevës më 15 tetor. Më pas pushtimi i Kërçovës dhe Prilepit i hapi rrugën ushtrisë serbe drejt Mnastirit, Dibrës, Krushevës etj. Ndërkohë ushtria serbe po përparonte me shpejtësi në tokat shqiptare dhe po i afrohej Durrësit, Tiranës, Krujës dhe Elbasanit.  Rrethet atdhetare të këtyre rretheve vendosën ta shpallin sa më parë pavarësinë, për t’i vënë autoritetet  ushtarake serbe përpara faktit të kryer. Më 25 nëntor Elbasani shpalli i pari pavarësinë. Të nesërmen, Tirana, Durrësi, Kavaja, Peqini e Lushnja.

 Mirëpo, pikërisht, këtu lind problemi dhe keqkuptimi apo keqinterpretimi, pasi ka individë që nuk e pranojnë këtë fakt, duke marrë si argument komunikimin e parisë së Elbasanit me Ismail Qemalin në datën 25 nëntor në kontekstin e analizës gjuhësore. Konkretisht, sipas tyre  në vend të foljes pranon të shpallet duhet të përdorej folja shpalli etj., si këto. Me pak fjalë për ta 25 Nëntori nuk ekziston për Elbasanin, apo është thjesht pranim i Pavarësisë. Vetvetiu lind pyetja. Si mund të pranojmë diçka që nuk ka ndodhur? Pavarësia e Shqipërisë u shpall më 28 Nëntor!!!!???

Ja telegrami që është bërë shkas për interpretime ndryshe, në emër të rishkrimit të historisë më së paku, apo keqshkrimit të historisë më së shumti. “ Telegram me anë të të cilit populli i Elbasanit pranon të shpallet pavarësia.

Shkëlqesisë së Tija Ismail Qemal Beut,

Vlonë                                                                     12 nëntor 1328, 25 nëntor 1912.

Gjithë populli ynë, myslimanë e të krishtênë, me nji zâ kânë pranue Indipendencën e Shqipniës.

N’emën të të gjithë popullit të Prefekturës s’Elbasanit

Haxhi Hafëz Sulejman Kungulli, Papa Dhimitër Dhimitruka, Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci, Hasan Bej Biçakçiu,Abdullah Bej Tirana, Fuat Bej Kahreman Beu, Servet Bej Zylfi, Ismail Bej Xhelalydin Beu, Ali Agjah Beu Adil Beu, Maliq Beu Riza Beu, Demir Bej Sulçe Beu, Refik Myftiu, Sheih Mahmut Guma, Sheih Xhaferr Pasmaqja, Beniamin Nosi, Taq Buda, Kolë Papajani etj….” .në vazhdim janë emrat e firmëtarëve.

Si duhet gjykuar e vlerësuar  ky dokumet?

Shpallje apo pranim? Kë pranuan? Le të shikojmë me radhë ecurinë e ngjarjeve gjatë muajit nëntor. Gjatë gjithë muajit nëntor, kur po përgatitej Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, midis parisë apo elitës së Elbasanit, ka pasur një komunikim tepër intensiv për problemin e pavarësisë. I pari është Syrja Vlora në një telegram (2 nëntor 1912) dërguar parisë, klerit mysliman dhe njerëzve të shquar të Elbasanit, pa mohuar dëshirën për të vazhduar lidhjet me Perandorinë Osmane, konsideronte si çështje parësore mbrojtjen e ekzistencës kombëtare dhe shpëtimin e Shqipërisë nga copëtimi. Ai shkruante: “ Në lidhje me sovranitetin osman, në rast se me ndihmën e Zotit do mundemi  ta vazhdojmë nën mbrojtjen e shenjtë të Perandorisë Osmane, do të sigurojmë autonominë tonë. Por në rast se, ruana Zot, ajo lidhje shkëputet, duhet të shpëtojmë atdheun tonë”.  Veç këtij, ka edhe  komunikime të tjera midis Ismail Qemalit dhe bejlerëve të tjerë të Elbasanit gjatë periudhës së Shpalljes së Pavarësisë.

 Shefqet Vërlaci, Aqif Pasha së bashku me bejlerët e tjerë dhe elitën e qytetit kanë qenë në mbështetje dhe përkrahës të lëvizjes për Pavarësinë e Shqipërisë. Në se do t’i referohemi dokumenteve e vërejmë këtë gjë. Para mbledhjes së Kuvendit në Vlorë e gjatë punës së tij, Aqif Pasha dhe Shefqet Vërlaci kanë qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ismail Qemalin për të gjitha përgatitjet e kuvendit. Ja disa nga komunikimet midis tyre:

“….Në nji mbledhje ku do bisedohen masa të jashtëzakonshme e do e’pet nji vendim i premë, e gjindmja e shkëlqesës së tij Aqif Pashës dhe e Shefqet Beut asht e domosdoshme, edhe për këtë nuk mund të mendohet as ndonjë shkak a arsye ndalimi. Prandaj i shtrënguem nga nevoja e punës e i shtym nga detyra patriotike, lutem qi t’urdhënoni të dy edhe pres përgjigjen tuaj.

Ismail Qemal”

Kryesiës së Kongresit të Indipendencës së Shqipniës

Vlonë

Ju bâjmë me ditë, se edhe Qemal Beu i Shehsuvar Beut, qi âsht prej Parësiës, u-emnue delegat, për me bashkëpunue me delegatët e tjerë t’Elbasanit e të Shqipniës.

Aqif Pashë Biçakçiu, Shefqet Bej Vërlaci…….

Këmbimi i mesazheve flet qartë për rolin e parisë së Elbasanit në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Një nga arsyet e rëndësishme në këtë aspekt lidhet me faktin se Elbasani që në shek. XVII Elbasani zinte një ndër vendet e para të kryeqendrave të hapësirës shqiptare. Janë domethënëse në këtë drejtim dëshmitë e udhëtarëve të huaj, kronikanëve, misionarëve apo historianëve të ndryshëm që me entuziazëm shohin në këtë qytet lumturinë, punën dhe dëshirën për zhvillim. Një udhëtar i panjohur venecian (1570), duke folur për Elbasanin, thotë se ky ishte një vend tregtar, i pasur me gjithfarë sendesh për atë kohë. Pasi përshkruante qytetin me mure të larta dhe porta që mbylleshin çdo mbrëmje, ai shënonte se kishte edhe mullinj që viheshin në lëvizje me anën e ujërave të sjella përmes disa vijave.

Gjithashtu në këtë kuadër u organizua në Elbasan një kongres shqiptar, ishte hapur një shkollë normale, (për përgatitjen e mësuesve) që ishte kthyer në një institucion panshqiptar, edhe pse nxënësit më së shumti ishin nga Elbasani. Qyteti i Elbasanit, siç shprehet një studiues i huaj, ka një shkollë për mësues dhe një jetë karakteristike intelektuale. Atje ka madje edhe një klub akademik. Ndonëse një qytet i dobët ekonomikisht, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën shpirtërore të vendit. Elbasani ka furnizuar me inteligjencë, ka krijuar shkolla dhe ka përgatitur mësues. Në korrik 1910 filloi të botohej edhe një gazetë. Ky është mjedisi social në prag të Shpalljes së Pavarësisë. Në këtë pikëpamje Elbasani është në qendër dhe faktor i rëndësishëm në procesin e Shpalljes së Pavarësisë. Por si duhet t’i vlerësojmë këto dokumente me qëllim që të mos ketë vend për keqkuptime dhe krijimin e pikëpamjeve nga më të ndryshmet. Ndërsa, fakti që Elbasani dhe disa qytete të tjera nënshkruan dokumentin e shpalljes apo pranimit të pavarësisë lidhet sigurisht me situatën politike politike. Sërbia kishte filluar të pushtonte territoret shqiptare dhe kësaj situate vetëm në këtë mënyrë, politikisht mund t’i përgjigjeshe. Kjo ishte zgjidhja, në të kundërt situata merrte të tjera përmasa.

Një dokument  zbuluar rishtazi në arkivin qendror të shtetit, i cili çuditërisht nuk është përfshirë në asnjë përmbledhje botimi, apo cituar gjëkundi, flet qartë për atë që ka ndodhur në 28 Nëntor 1912 dhe arsyen. Shpjegon gjithashka.

Në Elbasan

Zotënis së tij Aqif  Pashës  dhe Shevqet  e Hasan  bejlerëve,

Tashti jam në bisedime me konsullet, nuk vinj ( me telegrafhane). Veprimi i juaj është ky:

Durrësi  “zaten” shpalljen e indipendencës, konsujve të atjeshëm ua komunikoi. Dhe neve këtu çështjen e shpalljes së indipendencës së Elbasanit, Durrësit e të vendeve të tjera e shpalljen e indipendencës e të gjithë Shqipërisë- që asht vendosun të bënet këtë herë  gjithë shteteve do  të ua komunikojmë. Prandaj s’ka nevojë juve të bani  tjetër  ndonji veprim mbi këtë.

Vetëm pregatitni nji letër ku të thuhet se: “dhe Elbasani ka shpallur indipendencën, dhe se lufta që Serbia bashkë me aleatët e saj i ka shpallun Turqisë s’mund të zerë dhe Shqipërinë indipendente. Prandaj me neve duhet të mos luftoni”.

Kjo letër mbasi të nëshkruhet nga këshilla administrative, me një komision t’i  dërgohet komandantit të ushtrisë sërbe.

15 nëntor 328

28 nëntor 1912

Ismail Qemali

Ky dokument tregon se në Elbasan është firmosur akti i pavarësisë së Elbasanit më 25 nëntor. Sigurisht kjo ngjarje nuk ka përmasat dhe impaktin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por gjithsesi ka rëndësinë e tij për kontekstin historik në Elbasan. Elbasani prej 113 vjetësh e kujton dhe ndjehet krenar për këtë. Le të mos ja heqim këtë të drejtë Elbasanit. Ky nuk është as keqshkrim e aq më pak fallsifikim i historisë.

Në përfundim do të theksoja se, kapja pas fjalëve apo mungesës së dokumenteve finale, që në fakt sipas tyre është pranim e jo shpallje, apo flamurit për aktin e Shpalljes së Pavarësisë në Elbasan, që pretendohet që është, janë as më shumë e as më pak qëndrime antintelektuale, pasi interesi intelektual kufizohet vetëm me gjetjen e fakteve në dëm të angazhimit që mund të ngjallin këto fakte. Në këtë kategori hyjnë studiues të ndryshëm, madje edhe historianë “profesionistë” që kujtojnë që e “vërteta” historike gjendet vetëm në arkiva. Në çdo rast, “ekspertët profesionistë” që merren vetëm me evidentimin dhe grumbullimin e fakteve e të dhënave, ngjajnë me atë që Edmund Leach i ka quajtur, “koleksionistë fluturash”, sidomos kur nuk shkojnë përtej përvojës tekniciste e empiriciste, që pengon ato lloj hamendësimesh të frymëzuara për shpjegime dhe përgjithësime që mund të kapërcejnë të dhënat faktike.