Partneritetet në Elbasan po ndryshojnë jetët e njerëzve në nevojë

Nga: Nora Kushti

Gjithmonë kam marrë me vete një pjesë të historive të tyre — të atyre që janë përballur me vështirësitë më të mëdha të jetës, por që prapë kanë gjetur guximin të ringrihen.

Në Elbasan, takova njerëz, jeta e të cilëve ishte formësuar nga vështirësitë — varfëria, braktisja, dhuna në familje dhe mungesa e mundësive. Shumë prej tyre kishin pak arsim dhe akoma më pak shpresë. Megjithatë, përtej vështirësive, kishte diçka të pathyeshme tek ata: një shkëndijë vendosmërie që priste të rizgjohej.

Projekti EU4LMI — BE për Përfshirjen në Tregun e Punës — i financuar nga Bashkimi Evropian dhe i zbatuar nga UNDP Shqipëri në bashkëpunim me Shërbimin Publik Suedez të Punësimit dhe Fondacionin Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, po u jep njerëzve një mundësi për të jetuar me dinjitet. Duke punuar krah për krah me Agjencinë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi (AKPA), Shërbimet Sociale Shtetërore, bashkitë dhe 12 organizata të shoqërisë civile në 19 bashki, të tilla si Lëvizja Rinore Rome dhe Egjiptiane (LRER), Tjetër Vizion dhe Fondacioni Joscelyn, EU4LMI po ofron mundësi për të mos u përballur me përjashtimin social.

Projekti përqendrohet tek ata që shpesh lihen pas dore — njerëz me arsim të kufizuar, vetëbesim të ulët dhe qasje të pakët në punë formale. Por, në vend që të ofrojë zgjidhje të shpejta, EU4LMI ndërton fuqizim afatgjatë: këshillim të personalizuar, trajnim përmes punës, mbështetje ligjore dhe sociale, përputhje me një punë dhe lidhje të drejtpërdrejta me punëdhënësit.

Në Elbasan, takova 18 nga përfituesit e projektit, secila histori është një shembull i fuqishëm i asaj që mund të arrijë bashkëpunimi mes partnerëve dhe këmbëngulja për gjetje të mundësive për punësueshmëri.

Takova Sarën, një nënë e vetme 29-vjeçare e cila ishte përballur me braktisje, dhunë në familje dhe vite pune jo të qendrueshme në tregun informal. Arsimi i saj në Teknologjinë e Informacionit dikur dukej si një ëndërr e largët. Kur Tjetër Vizion kontaktoi në mars 2025, Sara hezitoi, por i dha vetes një mundësi. Përmes Programit të Këshillimit Intensiv të EU4LMI, ajo përfitoi nga një trajnim i personalizuar, ku mes të tjerash, mësoi të përgatitej për intervista dhe rifitoi vetëbesimin. Me mbështetjen e koordinuar të Zyrës Rajonale të Punësimit të Elbasanit dhe bashkisë, u organizua edhe kujdesi për fëmijët. Deri në korrik 2025, Sara filloi punën e saj të parë formale si asistente kuzhiniere në Burger House në Elbasan — me një kontratë të rregullt dhe sigurime shoqërore. “Më parë ndihesha sikur po mbijetoja,” tha ajo, me sytë që i shkëlqenin nga krenaria. “Tani, jeta ime ka marrë një kthesë për mirë.”

Eva 50 vjeç, nga komuniteti egjiptian në Elbasan, më tregoi një histori të ngjashme guximi. Një nënë e pesë fëmijëve dhe një gjyshe e 7 nipërve dhe mbesave, e papunë afatgjatë dhe pa vetëbesim, me vetëm nëntë vjet arsim, gjetja e një pune i dukej e pamundur. Por nëpërmjet mbështetjes së integruar të EU4LMI — këshillim intensiv drejt punësimit dhe trajnim për aftësi jetësore — Eva ndërtoi vetëbesimin e saj dhe mësoi sesi t’i qasej tregut të punës. Me mbështetjen e LRER dhe Zyrës Rajonale të Punësimit të Elbasanit, ajo tani është e punësuar me kohë të pjesshme në një nga shkollat fillore të Elbasanit si sanitare nëpërmjet Programit të Punëve Publike, një nga Programet Aktive të Tregut të Punës. Ajo është krenare që ka punën e saj të parë formale. “Tani nuk jam vetëm një nënë,” tha ajo. “Unë sjell të ardhura në familje.”

Pastaj, është Zamira 33 vjeç, një nënë e dy fëmijëve e cila ishte mbështetur prej kohësh në ndihmën ekonomike pasi u braktis nga bashkëshorti i saj. Puna e saj informale si rrobaqepëse e ndihmoi të mbijetonte. Nëpërmjet EU4LMI dhe Tjetër Vizion, Zamira përfitoi këshillim drejt punësimit, trajnime në komunikim, menaxhim të kohës dhe planifikim biznesi. Duke njohur potencialin e saj, projekti e lidhi atë me mbështetje financiare përmes një programi për fuqizimin e grave. Nga mesi i vitit 2025, Zamira po hidhte hapat e saj të parë drejt hapjes së biznesit të saj të rrobaqepësisë.

«Isha e padukshme më parë», tha ajo, duke futur fillin në gjilpërë me një dorë që tregonte vendosmëri. «Tani, po krijoj historinë time».

Secila prej këtyre historive — e Sarës, e Evës dhe e Zamirës — përfaqëson më shumë sesa sukses individual. Ato pasqyrojnë një sistem që funksionon në harmoni: autoritetet vendore, institucionet kombëtare, shoqëria civile dhe partnerët ndërkombëtarë që bashkohen për ta bërë reale përfshirjen në tregun e punës.

Vetëm në Elbasan, 18 persona kanë kaluar nga vulnerabiliteti në vetëmbështetje nëpërmjet qasjes së përshtatur të EU4LMI. Deri në fund të vitit 2026, vetëm në bashkinë e Elbasanit, EU4LMI pritet të ofrojë mbështetje për 365 përfitues, midis tyre, ata që nuk janë në punësim, arsim ose trajnim (NEET-ët), përfituesit e Ndihmës Ekonomike, nënat e reja dhe Personat me Aftësi të Kufizuara.

Në të gjithë Shqipërinë, projekti po krijon rrugë drejt punësimit, po forcon tregjet vendore të punës dhe po vërteton se kur institucionet bashkëpunojnë, vjen edhe transformimi.

Në Elbasan, takova njerëz që dikur shihnin vetëm dyer të mbyllura — por nëpërmjet EU4LMI, ata kanë gjetur jo vetëm punë, por edhe dinjitet, besim dhe një qëllim të ri jete.

Historitë e tyre më kujtojnë se kur njerëzit dhe institucionet punojnë krah për krah, shpresa nuk është më thjesht një fjalë — bëhet diçka që mund ta shohësh, ta përjetosh dhe të ndërtosh jetën rreth saj.