Ish-trajneri dhe portieri i njohur i Elbasanit, Muharrem Dosti, ka komentuar në një intervistë për “Panorama Sport” ecurinë e verdhebluve në nisje të kampionatit, duke e konsideruar atë pozitive dhe premtuese për vazhdimësinë e sezonit.
Sipas tij, skuadra ka treguar karakter dhe përqendrim në ndeshjet e para, elementë që i japin besim se Elbasani mund të qëndrojë në zonën e lartë të renditjes dhe të luftojë për objektiva madhorë. Duke u ndalur te humbja e parë ndaj Vllaznisë, Dosti vlerëson se ajo nuk duhet parë si një dështim, por si një mësim i vlefshëm. Ai thekson se ndeshje të tilla ndihmojnë skuadrën të përmirësohet dhe t’i japin trajnerit mundësinë të korrigjojë mangësitë, ndërsa thekson se humbjet e hershme shpesh shërbejnë për të rritur përgatitjen psikologjike të grupit.
Në prag të dueleve të radhës, ndaj Vorës dhe Bylisit, që të dyja në shtëpi, Dosti shpreh bindjen se Elbasani ka potencial për të marrë maksimumin. Ai thekson rëndësinë e përqendrimit dhe disiplinës, pavarësisht mungesave të disa lojtarëve, dhe shton se objektivi “Final 4” është plotësisht i arritshëm nëse skuadra vijon me këtë ritëm dhe qasje.
Z. Dosti, si e shihni nisjen e kampionatit për Elbasanin?
Për mua, në tërësi nisja ka qenë pozitive dhe kjo është shumë e rëndësishme. Skuadra ka treguar karakter dhe përqendrim, gjë që tregon se mund të qëndrojë aty lart dhe të luftojë për objektiva të mëdhenj.
Megjithatë, erdhi edhe humbja e parë në kampionat ndaj Vllaznisë. Si e patë?
Humbja mund të pranohet, për më tepër kur vjen ndaj një ekipi si Vllaznia dhe në Shkodër. Ndonjëherë është më mirë të ndodhë tani se më vonë, sepse i jep trajnerit mundësinë të rregullojë ndonjë defekt. Kjo është një mundësi për skuadrën të përmirësohet dhe të mësojë nga gabimet. Ka humbje që i shërbejnë skuadrës dhe e tillë ishte ajo në Shkodër.
Çfarë pritshmërish keni për ndeshjet e ardhshme, ndaj Vorës dhe Bylisit, që të dyja në shtëpi?
Të dyja ndeshjet janë shumë të rëndësishme. Elbasani ka mundësi reale për fitore, por duhet të tregojë përqendrim, disiplinë dhe profesionalizëm. Skuadra duhet të nxjerrë maksimumin nga ambienti i saj dhe të marrë rezultatet e duhura. Kundërshtarët janë ekipe që nuk e kanë presionin e Elbasanit, ndaj janë më të çlirët. Megjithatë, fillimisht ekipi duhet të mendojë të kalojë njëherë Vorën dhe më pas të shohë Bylisin.
Mungesat e Dialo dhe Ibrahimit sa ndikojnë në skuadër?
Sigurisht që ndikon, janë lojtarë të rëndësishëm, por flitet se do të jenë gati shumë shpejt. Kjo do t’i japë skuadrës mundësinë të tregojë karakter dhe të zëvendësojë boshllëqet me lojtarët e tjerë.
A ka presion për të arritur “Final 4”?
Unë mendoj se ka thjesht një presion normal si për çdo ekip që ka synime dhe ka bërë investime. ‘Final 4’ është objektiv real dhe i arritshëm. Skuadra duhet të shikojë çdo ndeshje një nga një, pa stres, duke ruajtur vetëbesimin dhe ritmin e lojës. Me atë që kam parë këto javë kampionat, e shoh si të realizueshëm.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL