Sot hap dyert universiteti/ Rektorja Prof. Dr. Elvira Fetahu: “Universiteti ynë, një fanar i dijes dhe integritetit akademik”

Në një atmosferë entuziazmi dhe emocionesh, Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” ka çelur zyrtarisht vitin e ri akademik. Auditorët u mbushën sot me studentë të rinj, të cilët nisin rrugëtimin e tyre universitar në një prej institucioneve më të vjetra dhe më të respektuara të arsimit të lartë në vend.

Me rastin e dites se pare, në fjalën e saj të mirëseardhjes, Rektorja e Universitetit të Elbasanit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, uroi të gjithë studentët dhe personelin për një vit të mbarë akademik, duke theksuar rëndësinë e dijes dhe të përkushtimit në rrugëtimin universitar.

 “Të dashur studentë, mirë se vini në Universitetin e Elbasanit ‘Aleksandër Xhuvani’!

Për shumë prej jush, ky është fillimi i një kapitulli të ri – një udhëtim drejt dijeve, zhvillimit personal dhe profesional, si dhe një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të së ardhmes që ëndërroni,” – tha ndër të tjera rektorja Fetahu.

Ajo vuri në dukje se Universiteti i Elbasanit është një institucion i akredituar që ofron programe studimi bashkëkohore, të përafruara me standardet evropiane dhe të përditësuara në përputhje me nevojat e tregut të punës.

 “Sot, universiteti ynë ofron programe në të gjitha ciklet e studimit – Bachelor, Master dhe Doktoraturë – duke ju dhënë mundësinë të zhvilloheni në fusha që përputhen me pasionet dhe aspiratat tuaja,” – theksoi rektorja.

Në fjalën e saj, Prof. Dr. Fetahu ndaloi edhe te infrastruktura moderne e universitetit, e cila është përmirësuar ndjeshëm vit pas viti, si dhe te mundësitë që studentët kanë për mobilitete ndërkombëtare dhe përfshirje në projekte kërkimore e shkëmbime kulturore.

 “Universiteti ynë është një qendër e lidhjeve ndërkombëtare. Përmes mobiliteteve Erasmus+ dhe projekteve të përbashkëta, ju ofrohet mundësia të studioni jashtë vendit, të njihni kultura të reja dhe të ndërtoni një rrjet global kontakti,” – u shpreh ajo.

Në përfundim të fjalës së saj, rektorja shprehu mirënjohjen për kontributin e personelit akademik dhe ndihmësakademik, duke theksuar rolin e tyre në ruajtjen e cilësisë dhe integritetit akademik.

 “Universiteti ynë ka qenë dhe do të mbetet një fanar i dijes, integritetit akademik dhe inovacionit. Është përgjegjësia jonë e përbashkët ta mbajmë gjallë këtë traditë dhe të ecim së bashku drejt një të ardhmeje më të ndritur,” – përfundoi Prof. Dr. Elvira Fetahu.