Pas katër javësh të para të kampionatit, Elbasani ka dalë në krye të renditjes dhe tashmë nuk shihet më si një ekip që thjesht kërkon mbijetesën, por si një skuadër që po synon majat e futbollit shqiptar. Rikthimi i verdhebluve në elitë ishte një ngjarje historike për qytetin, por mënyra se si po nis ky sezon është një lajm edhe më i madh: Elbasani po fiton me logjikë, me qetësi dhe me një filozofi loje që ngjall respekt.
MBROJTJE E HEKURT – Në futbollin modern, gjithçka nis nga stabiliteti prapa. Në këtë aspekt, Elbasani ka treguar një nivel surprizues për standardet e kampionatit shqiptar. Vetëm një gol i pësuar në katër ndeshje është statistika që flet më shumë se çdo koment. Organizimi i vijës së mbrojtjes, ndërhyrjet e sigurta të portierit dhe qetësia në menaxhimin e aksioneve të kundërshtarit janë pika kyçe që e kanë kthyer Elbasanin në skuadrën më të vështirë për t’u thyer. Kjo nuk është thjesht çështje individualitetesh, por një punë kolektive që nis nga mesfusha dhe përfundon te linja e fundit. Çdo lojtar di çfarë duhet të bëjë, ndjek rregullin dhe vendos skuadrën mbi gjithçka. Pikërisht kjo disiplinë e ka bërë ekipin e Ivan Gvozdenoviç të ngjajë më shumë me një makineri sesa me një skuadër të zakonshme shqiptare.
CINIZËM NË SULM – Nëse mbrojtja është garancia, sulmi është vendimi. Elbasani nuk është një skuadër që kërkon spektaklin me çdo kusht, por një skuadër që godet aty ku duhet. Katër ndeshje, katër gola dhe tre fitore minimale dhe një barazim janë dëshmi e qartë se verdheblutë luajnë për rezultatin dhe jo për statistikat. Ky lloj cinizmi, i cili shpesh ka munguar në futbollin shqiptar, është tipik për skuadrat që kanë ambicie të mëdha. Për Elbasanin, çdo gol i shënuar ka peshë, çdo pikë e fituar është e merituar dhe çdo ndeshje menaxhohet deri në minutën e fundit me përqendrim maksimal. Nuk është rastësi që kundërshtarët, edhe pse shpesh kanë pasur iniciativën, janë dorëzuar përballë pragmatizmit verdheblu.
JO AVENTURA – Një element tjetër që e dallon këtë skuadër është serioziteti në menaxhimin e ndeshjeve. Edhe kur kanë luajtur me një lojtar më shumë në fushë, si në përballjet ndaj Dinamos apo Partizanit, elbasanasit nuk u hodhën në sulm me “sy mbyllur”. Përkundrazi, ata zgjodhën të mbrojnë rezultatin dhe të ruajnë ekuilibrat, duke mos u tunduar nga ideja për të fituar thellë apo për të bërë spektakël. Ky qetësim, që në pamje të parë mund të duket i tepërt, është një tregues i pjekurisë. Një ekip që nuk i humbet nervat, nuk e rrezikon rezultatin dhe di të presë momentin e vet është gjithmonë një kandidat i fortë për objektiva madhorë.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL