Nëse ka një forcë që i ka mbijetuar shekujve, ajo është dashuria. Prej mitit biblik të Adamit dhe Evës e deri tek historitë më të thjeshta njerëzore, dashuria ka qenë motiv i sakrificës, rebelimit, luftërave e këngëve.
Në verilindje të Elbasanit, mes maleve të Polisit, ngrihet një majë që populli e ka pagëzuar si Mali i Vashës. Ai nuk është thjesht një shpat i thepisur prej guri, por një monument i gjallë i dashurisë së pamundur, të kënduar në legjenda dhe në këngët e paharrueshme të Isuf Myzyrit.
Banorët e zonës tregojnë sikur ngjarja ka ndodhur dje. Dy të rinj të dashuruar, por të ndarë nga pabarazia sociale, nuk gjetën rrugë tjetër veç sakrificës. Për të fituar vajzën e zemrës, djali pranoi kushtin e pamëshirshëm të pleqësisë së fshatit: ta mbartëte në krahë të dashurën e tij nga këmbët e malit deri në majë. Ngjitja ishte e pamundur, por dashuria ia dha fuqinë… deri në momentin kur zemra iu dorëzua. Vajza, besnike ndaj ndjenjës së saj, zgjodhi të hidhte veten në greminë, për të mos jetuar kurrë pa të.
Kështu mali mori emrin që mban edhe sot: Mali i Vashës, simbol i dashurisë që mposht edhe vdekjen.
Por sot kjo legjendë nuk jeton vetëm në rrëfimet e pleqve. Çdo vit, dhjetëra turistë vendas e të huaj ndalen aty, për të parë nga afër malin e mitizuar. Shumë prej tyre e ngjisin, disa fotografojnë majën e thepisur, e të tjerë e shohin thjesht si një sfond për historinë më të bukur që mund të tregojë Elbasani.
“Ne kemi ardhur nga Italia dhe u njohëm edhe me këtë vend”, thotë Martina, një turiste e re që ndalet për të bërë foto. “Është e pabesueshme si dashuria kthehet në legjendë dhe si një mal mund të ruajë kujtesën e saj”.
Edhe guidat lokale, e përmendin Malin e Vashës si një nga pikat më të veçanta të turizmit kulturor e natyror të Elbasanit. Ai mbetet një destinacion që bashkon historinë, këngën popullore dhe dashurinë, duke i dhënë qytetit një pasuri që ia vlen të ruhet dhe të promovohet.
Dhe ashtu siç ndodhi dikur, edhe sot, Mali i Vashës ngjall një emocion të pashpjegueshëm tek çdo vizitor: ndjenjën se dashuria, edhe e pamundur, është e vetmja forcë që mund të mbijetojë mbi kohën. Nga: Miranda Sadiku