Një ngjarje tronditëse është raportuar në aeroportin Josep Tarradellas Barcelona-El Prat, ku një çift vendosi të udhëtonte duke braktisur djalin e tyre 10-vjeçar vetëm në terminal, pasi pasaporta e tij kishte skaduar dhe nuk mund të hipte në avion.
Sipas mediave të huaja, episodi u bë publik falë një videoje të postuar në TikTok nga një oficere e kontrollit të trafikut ajror, e cila rrëfeu se prindërit kishin vendosur të mos humbnin fluturimin drejt vendit të tyre të lindjes, duke lënë fëmijën në aeroport dhe duke thirrur një të afërm që ta merrte.
“Pasaporta spanjolle e fëmijës kishte skaduar dhe ai kishte nevojë për vizë për të hyrë në vendin e destinacionit. Meqë nuk e kishin, vendosën të mos e presin dhe e lanë në terminal,” tha kontrollorja e trafikut ajror.
Stafi i aeroportit e gjeti djalin të vetëm dhe menjëherë njoftoi autoritetet. Sipas informacioneve të publikuara, fëmija kishte shpjeguar se prindërit e tij tashmë ishin nisur për pushime me një fëmijë tjetër më të vogël.
Piloti i avionit, sapo u informua për situatën, bëri një njoftim në kabinën e pasagjerëve duke pyetur nëse dikush kishte harruar një fëmijë në terminal. Fillimisht askush nuk reagoi, por më vonë prindërit u identifikuan.
Fluturimi ishte ngritur tashmë kur autoritetet kërkuan kthimin e avionit në Barcelonë. Pas uljes, çifti u shoqërua nga policia në komisariat për të marrë të birin.