Shqipëria po përballet me një rënie dramatike të numrit të lopëve të qumështit, duke vënë në rrezik vetëprodhimin ushqimor dhe trashëgiminë rurale të vendit. Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT për periudhën 2014–2024, numri i lopëve të qumështit në rang kombëtar është tkurrur me 37%, me rënie të ndjeshme në çdo qark të vendit.
Fenomeni lidhet ngushtësisht me emigracionin masiv, veçanërisht nga zonat malore dhe rurale, si dhe me mungesën e politikave afatgjata për mbështetjen e bujqësisë dhe blegtorisë.
Qarqet me rënien më të madhe
Elbasan ka humbur mbi 59% të tufës në 10 vite, me një rënie vjetore prej 6.5% vetëm në 2024. Rënia lidhet me braktisjen e fshatrave si Librazhdi, Gramshi dhe Belshi.
Berati ka pësuar përgjysmim të tufës, me ulje 18% vetëm në 2024 dhe një rënie totale 40% në një dekadë. Blegtoria është kthyer në aktivitet simbolik.
Korça ka humbur mbi 11 mijë lopë, me rënie 15.7% në një vit dhe 20% në dhjetë vite.
Gjirokastra shënon tkurrje 37% në një dekadë. Fshatra të tërë në Dropull e Libohovë janë boshatisur.
Dibra dhe Kukësi raportojnë rënie të një të tretës së tufës, ndërsa Shkodra ka humbur 37% të lopëve në 10 vite, me rënie 13% vetëm në vitin 2024.
Qarqet me qëndrueshmëri relative
Fieri, edhe pse ka rënë nga 50 mijë në 34,800 krerë, mbetet qarku me më shumë lopë. Në 2024 pati një rritje modeste prej 0.5%, falë investimeve në ferma.
Lezha shënon një rënie më të moderuar prej 20% në dekadë dhe ka ruajtur njëfarë stabiliteti për shkak të bujqësisë intensive.
Vlora është qarku me rënien më të ulët, vetëm 2.8% në 10 vite.
Durrësi ka humbur mbi 40% të tufës, për shkak të presionit urban dhe ndërtimit.
Tirana ka pësuar rënie prej 43% në dekadë, ndërsa në 2024 humbi 3.5% të tufës.
Kriza që prek më shumë se bujqësinë
Kjo rënie nuk është vetëm tregues i krizës në sektorin e blegtorisë, por edhe sinjal i shpopullimit të zonave rurale, rritjes së varësisë nga importet dhe humbjes së traditës së prodhimeve vendase të bulmetit.
Pa ndërhyrje të menjëhershme me politika të mirëfillta për rigjallërimin e jetës rurale, Shqipëria rrezikon jo vetëm ekonominë bujqësore, por edhe identitetin kulinar dhe kulturor të saj.