Me rastin e festës së begatë të Kurban Bajramit, qyteti i Elbasanit ka marrë një dhuratë të veçantë dhe me rëndësi të lartë shpirtërore e kulturore: është nënshkruar protokolli i bashkëpunimit për restaurimin e pjesshëm të Xhamisë Mbret, një prej monumenteve më të çmuara të trashëgimisë islame në Shqipëri.
Ky bashkëpunim i rëndësishëm është arritur ndërmjet:
Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit të Republikës së Turqisë, Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë – Myftinia Elbasan, me mbështetjen e Bashkisë së Elbasanit.

E ndërtuar në vitin 1492 nga Sulltan Bajaziti i II-të, Xhamia Mbret është një dëshmi e rrallë e arkitekturës dhe historisë islame në trojet shqiptare.
Restaurimi do të përfshijë: riparimin e çatisë kryesore dhe të hajatit sipas strukturës origjinale,
rregullimin e abdes’hanes dhe tualeteve, si dhe sistemimin e ambientit përreth xhamisë për të rikthyer funksionalitetin dhe hijeshinë e saj historike.
Ky projekt përkon me një nga ditët më të shenjta për besimtarët myslimanë dhe e bën këtë Kurban Bajram edhe më domethënës për qytetarët e Elbasanit dhe për gjithë komunitetin islam në Shqipëri.
Myftinia e Elbasanit shpreh mirënjohje të veçantë për Ambasadën e Republikës së Turqisë në Tiranë dhe për Agjencinë TİKA, për përkushtimin, bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë islame në vendin tonë.