Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë me një tjetër informacion të rëndësishëm për tifozët, në lidhje me shitjen e biletave për ndeshjen Shqipëri- Serbi, e cila luhet më 7 qershor, në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Sipas FSHF, të gjithë anëtarët aktivë të Klubit të Tifozëve që kanë përfituar nga paketat për sezonin aktual, nuk është e nevojshme të regjistrohen në formularin për shortin e biletave. Këta tifozë do e kenë vendin e tyre në stadium të garantuar dhe do të marrin një link të personalizuar për të kryer blerjen e biletës brenda periudhës së përcaktuar.
Për herë të parë, FSHF aplikon një formë të tillë për shitjen e biletave, që përdoret zakonisht nga UEFA dhe FIFA për ndeshjet e mëdha. Paraprakisht personat që duan të sigurojnë një biletë do duhet të aplikojnë dhe më pas nëse kërkesa e tyre miratohet, do kenë mundësi të blejnë deri në katër bileta.