Tre shtetas shqiptarë, të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale dhe bashkëpunëtorë të të shumëkërkuarit Talo Çela, janë arrestuar në Dubai si rezultat i një operacioni të përbashkët mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, të koordinuar nga Interpol Tirana. Arrestimet u kryen në kuadër të 3 fazave të tjera të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.
Konkretisht, sipas policisë “u kapën shtetasit: E. D., 38 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal.
“Ai akuzohet se: ka informuar shtetasit që kanë tentuar të vrasin shtetasin K. P., në lidhje me lëvizjet e tij; ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasit A. S.; ka strehuar, ka transportuar dhe i ka siguruar kushtet e nevojshme për jetesë, shtetasit të shumëkërkuar T. Ç”, njoftoi policia.
Në pranga ka rënë edhe “M. K., 39 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer për interes dhe hakmarrje, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal”.
“Ai akuzohet se: ka marrë pjesë në vrasjet e shtetasve K. K. dhe I. A.; ka siguruar kushtet/mjetet për vrasjen e shtetasve A. S. dhe A. C. alias A. S.; ka ndihmuar shtetasin e shumëkërkuar T. Ç., për t’u fshehur”, njoftoi policia.
Po ashtu është arrestuar edhe “A. Xh., 40 vjeç, të cilit GjKKO, në vitin 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”, kryer në kuadrin e grupit të strukturuar kriminal. Ai akuzohet se: për rreth 2 vjet, ka ndihmuar shtetasin T. Ç., duke i krijuar kushtet e nevojshme për jetesë; ka shoqëruar 1 gazetar, me qëllim intervistimin e shtetasit T. Ç”.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, me qëllim ekstradimin e këtyre shtetasve, në Shqipëri./ATSH