Eksperti i pensioneve Ramadan Kondi foli në lidhje me skemën e pensioneve.
Ai foli në lidhje me gjendjen e vështirë me të cilët përballen sot pensionistët dhe nevojën për të përcaktuar një minimum jetik, që do të ndikonte drejtpërdrejtë në përmirësimin e kushteve të grupmoshës së tretë.
“Deri tani nuk shihet asgjë e konsoliduar në lidhje me skemën e pensioneve, janë harxhuar kaq shumë kohë dhe energji dhe fundi është që ende nuk kemi një ide apo qëllim të kristalizuar. Nëse ka vullnet politik megjithatë nuk ka asgjë që nuk mund të realizohet, gjithçka lidhet me përcaktimin e strukturave dhe mirëadministrimin e fondeve të sigurimeve shoqërore dhe fondet publike.
Shtresa e pensionistëve sot janë në një situatë skandaloze ekonomike. Edhe ndihma nga fëmijët pothuajse po shkon drejt minimizimit, shkak jo vetëm ulja e euros dhe dollarit por edhe faktit që ata që janë larguar tashmë kanë krijuar familjet e tyre.
70% e pensionistëve dalin me pension të pjesshëm, kjo pasi nuk plotësojnë vitet e punës. Një vend që nuk ka përcaktuar minimumin jetik të jetesës me ligj, ai nuk ka përgjegjësi për qytetarin e tij. Nëse kemi rreth 9.700 lekë pension ky nuk është minimum jetik, sepse me 300 lekë ditën, çfarë mund të bëjë një njeri? 9.700, vetëm uji dhe energjia dhe shërbime bazë, nuk dalin, jo më për t’u ushqyer”, tha ai.