Gjatë dy javëve të fundit, një seri zjarresh ka përfshirë disa zona të qarkut Elbasan dhe Librazhd, ku të paktën 7 banesa janë djegur, duke lënë disa familje pa strehë.
Rasti më i fundit u regjistrua në fshatin Murras, ku një shtëpi u shkrumbua nga flakët. Nuk raportohet për persona të lënduar, por tre banorët e banesës kanë mbetur pa strehë.
Paraprakisht dyshohet se zjarri ka nisur nga një defekt elektrik, ndërsa materialet e ndërtimit kanë favorizuar përhapjen e shpejtë të flakëve. Ndërhyrja e zjarrfikësve u vështirësua nga terreni malor dhe largësia nga qendra e qytetit.
Më herët, dy banesa u dogjën totalisht në lagjen “Aqif Pasha” në Elbasan, ndërsa gjatë kësaj periudhe janë shënuar raste të tjera në lagjen Kala, Librazhd, Kusarth dhe lagjen “5 Maji”. Në disa prej tyre, zjarri u shkaktua nga bombolat e gazit, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Shërbimi zjarrfikës bën thirrje për kujdes të shtuar në përdorimin e pajisjeve elektrike dhe bombolave të gazit, duke theksuar rrezikun që paraqesin bombolat e vogla, veçanërisht në ambientet e mbyllura gjatë sezonit të dimrit.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.