Praktikisht, kush ka jetuar për pak kohë jashtë vendit, ose ka të afërm që jetojnë jashtë vendit (pra, të gjithë) ka mundur të bëjë dallimin midis jetesës në Shqipëri dhe një vendi diku në Europë, Amerikë, etj. Nuk ka diskutim në pjesën që jetesa në Tiranë dhe qytetet e tjera, ka vështirësitë e saj të shumta.
Por, ka dy mënyra për ta përballuar këtë gjë: mund të dëshpërohesh nga mëngjesi deri në darkë. Ose, mund të zgjedhësh ta shohësh gotën gjysmë plot, se në fund të ditës, nëpër botë nuk të ndodh shpesh që fqinji të dijë edhe numrin tënd të këmbës.
1. Mund ti shkosh tjetrit në shtëpi pa e njohur më parë sepse shanset janë shumë të larta që ta kesh kushëri
Ndoshta borxhi i jashtëm nuk është nën kontroll, ndoshta niveli i investimeve të huaja nuk është i krahasueshëm më vendet e rajonit, ndoshta në qershor nuk e marrim statusin kandidat. Por, një gjë është e sigurt: Një shqiptar nuk të lë asnjëherë në mes të rrugës. Ka gjithmonë një person që të tërheq makinën, që të jep telefonin për të bërë një telefonatë apo që të strehon për të kaluar natën. Sepse, është kaq e vogël kjo Shqipëri, sa e gjen patjetër një kushëri ose një kushëri të shokut, ose një shok të kushëririt.
2. Një ngjarje e papritur politike çdo dy ditë
Me të mirat dhe të këqijat e saj, politika në Shqipëri nuk të lë të mërzitesh asnjëherë. Dikush që jep dorëheqjen, dikush që përgjohet, dikush që proteston dhe dikush që voton. Do kesh gjithmonë diçka për tu marrë, madje aq shpesh ndryshon aktualiteti politik sa mund të themi që jetojmë në një version ballkanik të “100 Vitrinat”.
3. Trafiku tek “Shqiponja” (ose në autostradën Tiranë- Durrës, ditë fundjave, ora 18:00, qershor-korrik-gusht).
Ok, ok e di çfarë po mendon. Është pak e vështirë t’ia gjesh aspektin pozitiv trafikut tek “Shqiponja” kur ke punuar 8 orë e gjysmë. Megjithatë, mendo pak: gjithë ditën nuk ke patur kohë të marrësh në telefon familjarët e ti pyesësh si e kaluan ditën, me siguri ke harruar të lësh orar tek dentisti apo tek estetistja dhe me siguri ke harruar dhe të pish sasinë e ujit që duhet për të qenë i hidratuar. Gjeje çfarë? Të gjitha këto mund t’i bësh teksa pret 45 minuta për të shkuar nga Casa Italia tek Dogana.
P.s: e njëjta gjë vlen dhe për trafikun që has kur kthehesh nga plazhi në verë, në fundjavë.
4. Kush vjen nesër nga Amerika të më sjellë një porosi që kam bërë online?
Shqipëria është jo vetëm e mbushur me kushërinj, por edhe me kushërinj që jetojnë jashtë shtetit. Praktikisht, emigrimi i popullit shqiptar ndër vite shoqërohet me aspektin shumë pozitiv të sjelljes së porosive. Liberalizimi i vizave gjithashtu ka bërë të vetën.
5. Reunion me shokët e gjimnazit? Çfarë është kjo? Hahet?
Dua të them që sa herë del në ish- Bllok ose tek pedonalja e qytetit, takon rastësisht minimalisht dy persona nga 9-vjeçarja, shkolla e mesme dhe universiteti. Në varësi të ditës, mund ti takosh dhe të gjithë.
6. Terapia më e mirë për ata që kanë kaluar stres këto kohë, është një dasmë shqiptarçe
Muzika, ushqimi, Pogonishte, vallja e Tropojës, vallja e Napolonit, Artjola Toska, Petrit Lulo dhe njerëzit më të dashur: nëse kjo nuk është terapi, nuk e di se çfarë tjetër mund të jetë.
7. Fëmijëria
Lagjia ku luaje topa djegësi, dyqani ku blije gurabije dhe mësuesja që ke dashur më shumë: këto janë detajet e vogla që të kanë bërë personi që je sot dhe për disa, këto janë dhe pjesa më e bukur e jetës. *Shënim: Ky artikull është shkruar nga Ergisa Bejkollari/anabelmagazine.com/