Këshilli Bashkiak miratoi listën emërore të familjeve që do të përfitojnë subvencionim qiraje, për vitin 2026 në Bashkinë e Elbasanit.
Bashkia Elbasan ka aplikuar pranë Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit për përfitimin e këtij fondi, i cili do të shërbejë si subvencion qiraje për familjet që përfitojnë nga programet sociale të strehimit.
Nga 346 aplikime të paraqitura, 296 familje plotësuan kriteret ligjore të parashikuara në ligjin “Për Strehim Social” dhe aktet nënligjore janë përfshirë në listën përfituese, hartuar nga Komisioni i Strehimit.
Në përparësi kanë qenë kategoritë sociale më në nevojë, si, individët me status jetimi, personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit, viktimat e dhunës në familje, familjet rome dhe egjiptiane, prindërit e vetëm me fëmijë në ngarkim, etj.
Bashkia Elbasan thekson se ky proces është zhvilluar në mënyrë transparente duke garantuar që fondi i subvencionimit të qirasë për vitin 2026 të shkojë tek familjet me të ardhura të pamjaftueshme dhe në nevojë për strehim të sigurt.
Bashkia Elbasan konfirmon edhe një herë se mbetet një bashki sociale, e orientuar drejt mbështetjes së familjeve me të ardhura të ulëta dhe grupeve më vulnerabël. Përmes programeve të tilla të strehimit social, synohet garantimi i një strehimi të sigurt dhe dinjitoz për çdo familje në nevojë.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.