Një aksion i gjerë pastrimi është zhvilluar në fshatin Fushë-Buall, në njësinë administrative Shushicë, ku rreth 180 vullnetarë janë bërë pjesë e nismës për pastrimin e përrenjve malorë.
Ky aktivitet u organizua në bashkëpunim mes Bashkisë Elbasan dhe Organizatës “Rrjedha”, që për herë të katërt ndërmerr veprime konkrete për mbrojtjen e rrjedhave ujore në zonat malore.
Përroi i Fushë-Buallit njihet si një nga zonat më të bukura dhe më të pasura me burime ujore, me potencial të madh turistik, por është prekur nga mbetjet që hidhen pa kriter nëpër përrenj, të cilat më pas përfundojnë në rrjedhën e lumit Shkumbin dhe në tokat bujqësore të Shushicës.
Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, gjatë aksionit tha se përveç pastrimit fizik, është ndërmarrë edhe një sesion informimi për banorët e zonës mbi rëndësinë e ruajtjes së mjedisit.

“Kemi nisur një fushatë ndërgjegjësuese që banorët të hedhin mbetjet në vendet e caktuara dhe jo në përrenjtë malorë. Falenderoj organizatën ‘Rrjedha’ për bashkëpunimin, sepse qëllimi ynë është t’i kemi të pastra të gjitha rrjedhat malore, në mënyrë që mbetjet e malit të mos përfundojnë në lumë e më pas në det. Kjo është një sipërmarrje që do ta vazhdojmë në të gjitha zonat malore”, u shpreh Llatja.
Në aksion morën pjesë edhe nxënës të shkollave të zonës, të cilët kontribuan në pastrimin dhe sensibilizimin e komunitetit për mbrojtjen e mjedisit.
Përfaqësuesja e Organizatës “Rrjedha” theksoi se bashkëpunimi me Bashkinë Elbasan dhe njësinë administrative Shushicë është pjesë e një projekti më të gjerë që synon ruajtjen e ekosistemeve ujore dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në zonat malore.
“Ky është aksioni ynë i katërt në këtë territor. Synimi është të pastrojmë çdo përrua që derdhet në Shkumbin, duke reduktuar ndotjen dhe duke kthyer natyrën në gjendjen e saj të pastër”, u shpreh ajo.

Nisma “Rrjedha” pritet të shtrihet edhe në zona të tjera të Bashkisë Elbasan në javët në vijim, me fokus te pastrimi i burimeve malore, edukimi mjedisor dhe përfshirja e sa më shumë vullnetarëve të rinj.

ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.