10KSA në Tiranë/ Ambasada Saudite promovon një kulturë të re ndërgjegjësimi për shëndetin

10KSA erdhi në Tiranë përmes një aktiviteti të posaçëm ndërgjegjësues të organizuar nga Ambasada e Mbretërisë së Arabisë Saudite, duke sjellë për herë të parë në Shqipëri një nga iniciativat globale më të njohura për shëndetin preventiv dhe fuqizimin e komunitetit. Zëvendës-Ambasadori Ahmed Alharbi, i cili udhëhoqi aktivitetin, theksoi në fjalën e tij rëndësinë e bashkëpunimit midis institucioneve arsimore dhe atyre shëndetësore, duke nënvizuar se investimi në shëndetin e qytetarëve përbën bazën e çdo zhvillimi të qëndrueshëm. Ai vuri në dukje se iniciativa 10KSA synon të forcojë kulturën e parandalimit, të mbështetur në dije dhe përgjegjësi kolektive, në përputhje të plotë me objektivat e Vizionit Saudit 2030 për përmirësimin e cilësisë së jetës.
Krahas fjalës së Zëvendës-Ambasadorit Alharbi, Rektori i Universitetit te New Yorkut ne Tirane, prof.Ali Gunes, përshëndeti iniciativën dhe shprehu mirënjohjen e tij ndaj Ambasadës Saudite për organizimin e një aktiviteti të dedikuar ndërgjegjësimit mbi kancerin , “sëmundjen më vdekjeprurëse në botë”, siç u shpreh ai. Rektori theksoi se kanceri prek miliona jetë çdo vit dhe se pas çdo statistike fshihet një histori personale guximi dhe shprese. Ai kujtoi se deri në 50% të rasteve me kancer mund të parandalohen përmes ndryshimeve në stilin e jetesës dhe diagnostikimit të hershëm, duke nënvizuar fuqinë transformuese të ndërgjegjësimit. Ai u bëri thirrje studentëve dhe të pranishmëve të mësojnë shenjat, të nxisin kontrollet, të mbështesin kërkimin shkencor dhe të flasin hapur për kancerin, duke rikujtuar se “heshtja e ndihmon kancerin të fitojë, por ndërgjegjësimi na ndihmon të luftojmë.”
Aktiviteti vijoi me një panel diskutimi ku morën pjesë pedagogia Elona Gjebrea Hoxha, blogerja Xheklina Bylykbashi dhe studentja saudite Lin Faisal, të cilat sollën perspektiva të ndryshme mbi sfidat dhe rëndësinë e edukimit shëndetësor, rolin e grave në nxitjen e një kulture të re ndërgjegjësimi dhe nevojën për të promovuar mënyra më të shëndetshme jetese në komunitet. Folëset theksuan se universitetet dhe institucionet arsimore luajnë një rol të pazëvendësueshëm në formësimin e brezit të ri dhe në shndërrimin e njohurive shkencore në zakone të përditshme që ndikojnë pozitivisht në shëndetin publik.
Në mbyllje të aktivitetit, Zëvendës-Ambasadori Alharbi u shpreh me shpresën se ky organizim do të frymëzojë pjesëmarrësit të ndërmarrin hapa konkretë drejt një të ardhmeje më të shëndetshme dhe më të informuar, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një shembull të diplomacisë së re shëndetësore që Arabia Saudite po promovon ndërkombëtarisht. Ai kujtoi se iniciativa 10KSA, e themeluar nga Lartmadhëria e Saj Princesha Reema bint Bandar Al Saud, njihet në mbarë botën për programet e saj sensibilizuese, veçanërisht për kontributin në edukimin dhe parandalimin e kancerit.
Me prezantimin e 10KSA në Tiranë, Ambasada Saudite hodhi bazat për një bashkëpunim më të gjerë në fushën e edukimit shëndetësor, duke sjellë në vëmendje rëndësinë e parandalimit dhe të jetesës së shëndetshme si pjesë e një vizioni modern për zhvillim shoqëror dhe mirëqenie.