Thursday , August 21 2025

Elbasani i rrapeve 700-vjeçare

Elbasani nuk është vetëm një qytet me histori shekullore, por edhe një vend ku natyra dhe kultura bashkëjetojnë në mënyrë magjike. Zonat e veçanta si Rrapi i Mansit, Kroi i Kalit, Burimi i Bankës, Gurra e Labinotit, Tuneli i Mirakës, Ulliri i Qejfit, Parku Rinia, Rrapet e Busheku, Rrapi i Bezistanit, Selvia e Seltës e Kodra e Krastës nuk janë thjesht monumente natyrore, ato janë dëshmi të historisë dhe traditës, që ftojnë çdo vizitor të ndalojë, të shohë dhe të prekë të shkuarën.

Jo shumë larg qendrës së qytetit ndodhet Rrapi i Mansit, emri i tij lidhet me itinerarin e rrugës Egnatia (shekulli II-IV), që kalonte në luginën midis Teqes së Madhe dhe Krastës. Historikisht, kjo zonë ka shërbyer si vend çlodhjeje dhe festimesh, veçanërisht gjatë Ditës së Verës. Sot, rrapi ka humbur pak nga madhësia origjinale, por mendohet të jetë mbi 605 vjeç.

Rrapi i Bezistanit, pranë Portës së Kalasë, është një tjetër atraksion që nuk mund të humbasë asnjë vizitor. Ai lidhet me tregun e mbyllur të shekullit XVII, Bezistanin, një bërthamë tregëtare dhe kulturore e qytetit. Përmasat e tij tregojnë se rrapi ka mbi 500 vjet jetë, dhe çdo turist që ndalet aty e kap pamjen e tij me aparatin fotografik, duke krijuar kujtime të paharrueshme. Për të rritur interesin dhe për të informuar vizitorët, Bashkia e Elbasanit organizon guida turistike të rregullta, që përshkruajnë historinë dhe legjendat e këtij monumenti natyror.

Ndërkohë, pranë Rrapit të Bezistanit ndodhet edhe Bazilika e Elbasanit, një tjetër pikë historike që shton interesin e turistëve. Kombinimi i monumentit natyror me atë historik e bën përvojën më të paharrueshme.

Në një ditë të qetë vere, Ajsel, një turiste nga Gjermania, që ndodhej në vizitë në Elbasan, pohon se, “kur e pashë rrapin dhe bazilikën njëkohësisht, ndjeva sikur isha zhytur në histori,” thotë ajo duke ndarë emocionin e momentit. Aparati fotografik nuk ndalonte, ndërsa ajo përpiqej të kapte çdo detaj të rrënjëve të thella dhe mureve të vjetra të bazilikës.

Rrapi i Vojvodës, në dalje të qytetit, është një tjetër monument natyror me histori të pasur, që ka shërbyer si pikë referimi dhe vend takimi për karvanet dhe vizitorët që hynin dhe dilnin nga qyteti. Përmasat e tij tregojnë se ka një moshë rreth 700 vjeçare, duke e bërë atë një dëshmi të gjallë të historisë së Elbasanit.

Vizita tek rrapet e Elbasanit nuk është thjesht një shëtitje mes gjelbërimit; është një udhëtim në kohë. Çdo degë, çdo rrënjë, çdo hijeshuri e rrapit flet për shekuj të tërë histori, tregime dhe ngjarje që kanë formësuar qytetin. Rrapi i Bezistanit, me praninë e tij në qendër të qytetit, guidat turistike dhe bazilikën përballë, është pika ku rrëfimi i së shkuarës takon përjetimin e së tashmes, duke lënë një kujtim në syrin dhe zemrën e çdo vizitori. Miranda Sadiku