Elbasan – Pas disa javësh hetime intensive me metoda proaktive, Policia e Elbasanit në bashkëpunim me Prokurorinë ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Shame”, duke goditur një rrjet të organizuar prostitucioni në zemër të qytetit.
Në kuadër të operacionit u zbuluan dy apartamente të marra me qira në Elbasan, që ishin përshtatur për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm të prostitucionit. Brenda ambienteve u arrestuan në flagrancë 8 persona, përfshirë organizatorë, punonjëse dhe klientë.
Të arrestuarit:
Dy shtetas kinezë, K. Ch., 44 vjeç dhe R. C., 38 vjeçe, të akuzuar për “Shfrytëzim prostitucioni” dhe “Falsifikim dokumentesh”, të kryer në bashkëpunim.
Tre gra të huaja, përkatësisht dy shtetase kineze dhe një braziliane – L. N. (46 vjeçe), B. G. (52 vjeçe) dhe E. S. (23 vjeçe) – të ndaluara për “Prostitucion”.
Tre shtetas shqiptarë – A. P. (38 vjeç), L. T. (38 vjeç) dhe R. F. (28 vjeç) – të cilët u kapën në flagrancë teksa paguanin për marrëdhënie seksuale, dhe u arrestuan për veprën penale “Prostitucioni”.
Hetimet zbuluan se aktiviteti zhvillohej në mënyrë të mirëorganizuar, ku gratë e huaja promovoheshin në faqe të ndryshme online dhe ofronin favore seksuale kundrejt pagesës.
Në vijim të operacionit: U referuan materialet në Prokurori edhe për:
Dy pronarët e apartamenteve, A. V. (46 vjeç) dhe B. H. (36 vjeçe), si dhe
Sanitaren O. T. (19 vjeçe), për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrollit u sekuestruan:
Shuma parash në valuta të ndryshme
Dokumente personale dhe letërnjoftime
Vula të dyshuara false
10 aparate celularë
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme hetimore.