103 vjet Shërbim Pyjor Shqiptar, Bashkia Elbasan promovon historinë dhe investimet në pyje

Në kuadër të 103-vjetorit të themelimit të Shërbimit Pyjor Shqiptar, në sallën multifunksionale të Bashkisë Elbasan u zhvillua një aktivitet, i shoqëruar me një ekspozitë fotografike dhe materiale arkivore që pasqyrojnë historinë një shekullore të pyjeve të Elbasanit.

Në këtë ekspozitë u prezantuan fotografi të vjetra dhe dokumente që tregojnë evoluimin e menaxhimit pyjor ndër vite, si dhe mostra dhe materiale profesionale të përdorura në sektorin e pyjeve. Të pranishëm ishin inxhinierë dhe specialistë të rinj pyjesh, studiues, si edhe ish-punonjës të sektorit, tashmë në pension, të cilët vijojnë të kontribuojnë me përvojën e tyre në dokumentimin dhe përshkrimin e historisë së pyjeve të Elbasanit.

Me këtë rast, kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, vlerësoi rolin e specialistëve pyjorë ndër dekada, duke theksuar se “për mbi një shekull, specialistët pyjorë kanë qenë mbrojtësit e pasurisë sonë natyrore”.

Ai u shpreh se menaxhimi i pyjeve në Bashkinë Elbasan është kthyer në një prioritet absolut, duke theksuar se rreth 90% e planeve të menaxhimit pyjor tashmë janë përfunduar dhe se vetëm gjatë vitit 2025 janë mbjellë rreth 20 mijë fidanë të rinj.

Sipas kryebashkiakut, të gjitha të ardhurat e gjeneruara nga pyjet janë rikthyer sërish në investime për mbjellje dhe prita malore për mbrojtjen nga erozioni, ndërsa është garantuar furnizimi me dru zjarri për çerdhet, kopshtet dhe shkollat, si dhe është lehtësuar vetëfurnizimi për popullatën në qytet dhe në fshat.

Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe menaxhimit të zjarreve në pyje. “Falë menaxhimit efikas, kemi rritur shpejtësinë e ndërhyrjes duke minimizuar dëmet në fondin tonë pyjor”, u shpreh Llatja.

Aktiviteti shërbeu si një moment reflektimi dhe vlerësimi për kontributin e brezave të specialistëve pyjorë në mbrojtjen e trashëgimisë natyrore, si dhe si një nxitje për brezat e rinj që të vijojnë këtë mision të rëndësishëm.

Shërbimi Pyjor Shqiptar u themelua në vitin 1923 me misionin për të mbrojtur dhe administruar pasuritë pyjore të vendit, duke parandaluar shfrytëzimin e pakontrolluar dhe duke garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe kullotave. Sot, ai mbetet një nga institucionet kyçe në mbrojtjen e mjedisit dhe në luftën kundër ndryshimeve klimatike.