Drejtuesi politik i Qarkut të Elbasanit, Damian Gjiknuri, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Gledian Llatja, ka inspektuar punimet që po kryhen në zonën e ish-Kombinatit të drurit, e cila është shpallur zonë e lirë ekonomike. Edhe pse zona është ende në fazën e investimit dhe rikualifikimit të kapanoneve, jo pak kompani të huaja dhe shqiptare kanë shfaqur interesin për zhvendosjen e linjave të tyre të prodhimit.
Gjatë inspektimit të punimeve numri dy i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, shprehu rëndësinë që ka ky investim si për kthimin e saj në një vepër të modernizuar industriale, ashtu edhe për vendet e punës që krijon.
“Pata kënaqësinë që bashkë me kryetarin e Bashkisë dhe përfaqësues të investitorëve për të parë një zhvillim transformues për qytetin e Elbasanit. Një pikë shumë e rëndësishme industriale për Qarkun e Elbasanit, një zonë e lirë ekonomike, e cila do të kthehet në veprimtari prodhuese për eksport”, u shpreh Gjiknuri.
“Është një sipërfaqe e tërë, që po transformohet, pjesë e një investimi privat nga investitorë shqiptarë, por që gradualisht po sjell edhe investitorë të huaj, të cilët do të ndërtojnë linjat e tyre të prodhimit për eksport për vendet perëndimore e më gjerë. Ky investim është një nga modelet e mira që do të krijojë punësim dhe një zinxhir ekonomik me vlerë për Elbasanin”, tha Gjiknuri.
Gjithashtu Gjiknuri u shpreh se këto janë modele që do të promovohen dhe mbështeten vazhdimisht nga përfaqësuesit vendor dhe qeveria shqiptare.“Këto janë modele të reja zhvillimi që ne do ti promovojmë. Unë dua ta përgëzoj edhe Bashkinë e Elbasanit që i ka ndenjur në krah këtij investimi dhe jam i bindur që do të bëjë maksimumin që ky proces të shkojë deri në fund dhe pas pak kohësh të shohim emra më të mëdhenj ndërkombëtarë të eksportit për ta përdorur këtë njësi prodhimi”,- përfundoi Gjiknuri.
Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, theksoi se shumë kompani kanë shprehur interes për të sjellë linjat e tyre të prodhimit në këtë zonë industriale, kryesisht për eksport.
“Përfundimi i rikonstruksionit total të ish-Kombinatit të drurit ka pasur disa vonesa për shkak të pandemisë. Sot që po flasim janë 300 punëtorë për sistemin dhe modernizimin e infrastrukturës. Shumë kompani kanë shprehur interes për të sjellë linjat e tyre të prodhimit në këtë zonë industriale, kryesisht për eksport. Jemi besimplotë që brenda muajit nëntor do të hapim edhe një fabrikë, e cila do të eksportojë mobilie, është një kompani italiane që ka shprehur interesin e saj”,- u shpreh Llatja.
Aktualisht në këtë fazë të investimit punojnë rreth 300 punonjës, ndërkohë që me ardhjen e kompanive të huaja këto vende pune pritet të rritet edhe më ndjeshëm, duke rikthyer edhe njëherë vëmendjen në Elbasan si një qendër mirëfilli industriale.