Sunday , December 4 2022

Zhdukja e dy të rinjve në Elbasan/ Vajza u largua nga shkolla, shoqet i hodhën çantën nga dritarja (Detaje)

Detaje të reja janë zbuluar nga’ Top Channel’ në lidhje me zhdukjen e dy të rinjve në Elbasan ditën e djeshme.

Bëhet me dije se vajza ka dalë në pushim të gjatë të premten dhe kamerat e shkollës kanë fiksuar teksa shoqet e saj i kanë hedhur nga dritarja e klasës çantën e shkollës.

Nga bashkëmoshataret e saj thuhet se ajo ishte një nxënëse shumë e mirë dhe se largimi ishte i planifikuar pasi ditët e fundit, 13-vjeçarja po kursente dhe mblidhte para pasi i duheshin.

Nga ana tjetër edhe djali kishte shitur biçikletën dhe telefonin për të pasur para mjaftueshëm për t’u larguar.

Prej të premtes dy fëmijët djalë dhe vajzë, nxënës në klasën e 9 në shkollën “Jorgji Dilo” në Elbasan kanë humbur kontaktet me familjarët. Ata shkuan në shkollë si çdo ditë dhe nuk u kthyen në shtëpi. Familjarët kanë denoncuar në polici por ende nuk kanë gjetur asnjë gjurmë.

Të afërmit e fëmijëve kanë thënë më parë se kanë kontaktuar me taksistin me të cilin të miturit janë larguar dhe ai u ka pohuar se ditën e hënë rreth orës 13.00 i ka zbritur fëmijët tek “Qyteti Studenti”.

Top Channel

Advertisement