Zgjidhje problemit të furnizimit me ujë, Balla: Angazhim për të investuar në çdo cep të Elbasanit

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi sot se “ne kemi marrë besimin e qytetarëve të Elbasanit për të ndryshuar rrënjësisht cilësinë e shërbimeve publike”. “Bashkia e Elbasanit e ka përqendruar vëmendjen në përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve, duke nisur që nga shërbimet kryesore. Po investojmë në përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm edhe në zonat rurale”, tha Balla, i cili bashkë me Kryetarin e Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja ishte sot në Njësinë Administrative Shirgjan, ku po vazhdojnë punimet në modernizimin e rrjetit të shpërndarjes së ujit të pijshëm.

Balla u shpreh se “këtu në Shirgjan, gjatë vitit të fundit kemi investuar në disa projekte të mëdha, jo vetëm autostrada bujqësore, investime në kanale vaditëse, por tashmë kemi kthyer vëmendjen edhe në furnizimin dhe përmirësimin e rrjetit shpërndarës të ujit të pijshëm”.

“Në këtë zonë po shtrihet kanalizimi kryesor që shoqërohet edhe në shpërndarjen në çdo familje të ujit të pijshëm, shoqërohet edhe me vendosjen e sahatëve. Ajo që ka dëmtuar më së shumti cilësinë e ujit të pijshëm në një pjesë të zonave rurale është një pjesë e banorëve që përdorin ujin e pijshëm për vaditje. Kanalin vaditës e kemi bërë. Ndaj i bëj thirrje çdo banori të përdori kanalin vaditës për të vaditur”, tha ai.

Balla tha se “ajo që për ne është e rëndësishme është fakti se nga bashkia Elbasan, jo vetëm Shirgjani, por të gjitha njësitë administrative kanë vëmendjen e plotë të qeverisë qendrore dhe vendore, sepse nëse përllogarisim vlerën e investimit në Shirgjan gjatë vitit të fundit, ajo është disa herë më e madhe se te gjitha investimet e kryera në vitet e shkuara”.

“Vëmendja jonë është për njerëzit. Ne do të vazhdojmë të qeverisim me përkushtimin për t’ju gjendur pranë çdo familje. Askush nuk do të jetë vetëm dhe ne jemi këtu me angazhimin për të investuar në çdo cep të Elbasanit”, tha Balla. Kryetari i bashkisë, Llatja u shpreh se “përveç qytetit po bëjmë investime edhe në fshatra”. “Kemi problematika sidomos në fshatrat kodrinorë kemi pasur probleme me furnizimin me ujë. Investimet nuk po fokusohen vetëm në qytete, por edhe në fshat”, tha ai.