Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për shpronësimin për interes publik të pronarëve të pasurive të paluajtshme pronë private, që preken nga projekti “Zgjerimi i varrezave publike, Elbasan”.
Shpronësimi bëhet në favor të bashkisë Elbasan, ndërsa pronarët e pasurive të paluajtshme kompensohen në vlerë të plotë prej 9 713 832 lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të tij është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi. Pronarët e pasurive të paluajtshme do të kompensohen pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Elbasan.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, në bashkëpunim me Bashkinë Elbasan, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë për pasuritë e shpronësuara në favor të Bashkisë Elbasan.
Po ashtu, Agjencia Shtetërore e Kadastrës pezullon të gjitha transaksionet me pasuritë e shpronësuara deri në momentin kur do të realizohen procesi i hedhjes së gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale të regjistrimit dhe regjistrimi i aktit të kalimit të pronësisë në favor të Bashkisë Elbasan për pasuritë e shpronësuara. /atsh