Zgjedhjet/ Vijon numërimi i votave të kandidatëve në Qarkun e Elbasanit. Mund të kemi thyerje herësi nga radhët e PD

Po vijon numërimi i votave të kandidatëve në Qarkun e Elbasanit. Gazetari Fatmir Popja, raporton për “BalkanWeb”, se deri më tani në këtë qark, më i votuari renditet Taulant Balla, me afro 11 mijë vota. Pas tij, në radhët e PS, renditet ministrja e Arsimit Evis Kushi.

Nga krahu tjetër, interesante është ajo që po ndodh në Partinë Demokratike. Luçiano Boçi, i renditur i shtati në listë, ka grumbulluar mijëra vota dhe ndodhet sipas gazetarit ndjeshëm më i votuari nga pjesëtarët e tjerë të listës, pas tij, renditet drejtuesi politik i qarkut Gazment Bardhi dhe kandidatja Flutura Açka. Sipas gazetarit Popja, nëse Boci vijon me këtë trend, do të mund të thyejë herësin dhe të fitojë mandatin e deputetit, duke qenë se Partia Demokratike në këtë qark, rezultoi fituese e 6 mandateve.

“Në bashkinë e Belshit ka përfunduar numërimi për kandidatët dhe po zhvillohet në të gjithë KZAZ e tjera. Interesant është fakti që gjatë numërimit të disa qindra kutive të votimit ka rezultuar që në kampin e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi i renditur i shtati në listë, rezulton të jetë ndër më të votuarit nga të gjithë kandidatët e tjerë të kësaj force politike, e cila sipas rezultatin zyrtar të KZAZ mbeti jashtë listave fituese. Por trendi i votave që ka marrë në Qarkun e Elbasanit dhe aktualisht kryeson dukshëm listën e kandidatëve të PD duke qenë disa mijëra vota përpara kandidatëve të tjerë, ai pretendon të jetë fituesi i mandatit. Pas tij renditet Gazment Bardhi.