Zgjedhjet lokale/ Dorëzojnë mandatin 6 deputetë, në Elbasan ikin dy. Emrat

Gjashtë deputetë do të dorëzojnë mandatin brenda kësaj jave, në mënyrë që të hënën të mund të regjistrohen si kandidatë për kryetarë bashkie pranë KQZ.

Partia Socialiste do të “sakrifikojë” vetëm dy ligjvënës që do të kandidojnë në Shkodër dhe në Gramsh. Largimi i Benet Becit risjell në skenë Ilir Beqajn. Megjithatë nuk është e sigurtë nëse ish-ministri do të rifutet në parlament. Në qarqet politike po diskutohet se një tjetër kandidat e aspiron mandatin, dhe ai është Kabir Fishta. Që djali i biznesmenit të zonës të hyjë në parlament, duhet të mandatin ta refuzojë, jo vetëm Beqaj, por edhe pasuesi Frrok Gjini.

Në qarkun Shkodër do të ketë ndryshime deputetësh edhe nga Partia Demokratike.

Sali Berisha ka konfirmuar kandidimin e Zef Hilës për Vaun e Dejës, duke i siguruar një mandat Ludovik Hasanit, teksa Bardh Spahia do ta refuzojë mundësinë për tu ribërë deputet, në përpjekje për të mbajtur bashkinë.

PD-ja zyrtare mund të kandidojë në Malësi të Madhe deputetin Ramadan Lika. Nëse kjo ndodh, kjo do të rikthente në Parlament Izmira Ulqinakun.

Në Elbasan, PS do të ketë deputet të ri Shkëlqim Bullarin, i cili zë vendin e Besjan Ajazit që do të garojë për Gramshin.

Vendi i Luciano Bocit që garon në Elbasan, do ta zërë Qani Xhafa.

LËVIZJET E DEPUTETËVE

PARTIA SOCIALISTE

Benet Beci-Ilir Beqaj

Besjan Ajazi-Shkëlqim Bullari

PARTIA DEMOKRATIKE

Luçiano Boçi-Qani Xhafa

Belind Këlliçi-Asllan Dogjani

Zef Hila-Ludovik Hasani

Ramadan Lika-Izmira Ulqinaku