Xhamia e Ballies përzgjidhet në kompeticionin e rëndësishëm europian si arkitektura model e kultit

Projekti për Forcimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë së vendeve dhe komuniteteve fetare në rrezik (SOAR) zhvilloi një takim mbi dixhitalizimin dhe sigurinë kibernetike të vendeve të adhurimit në Bruksel. Në këtë takim morën pjesë arkitektë nga vende të ndryshme dhe planifikues të sektorit privat dhe publik, udhëheqës fetarë dhe autoritete publike, për të identifikuar sfidat dhe mundësitë për sigurinë duke projektuar objektet fetare.
Në këtë takim u prezantua edhe Xhamia e Ballies, si një objekt kulti me një arkitekturë të rrallë si në Shqipëri, ashtu edhe në Ballkan e me tej. Arkitekti si dhe drejtuesi i kompanisë prezantoi për rreth 30 minuta tek të pranishmit detajet e vlerave të rëndësishme që përmban kjo xhami për arkitekturën moderne dhe se si integrohet në shoqëri historia me modernen.
Në fund, projekti u përzgjodh për në garën e radhës që do të mbahet në Britaninë e Madhe ku është pretendente për një cmim të rëndësishëm ndërkombëtar.
E shtrirë në një kat nëntokë, përdhes dhe dy kat i ndërmjetëm, sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit të xhamisë është afro 1800 m2. Përveç sallave të lutjeve, ai përfshin edhe një sallë konferencash dhe zyra administrative. Rreth 1700 besimtarë mund të falen njëkohësisht në ambientet e brendshme të xhamisë. Së bashku me sheshin përballë, numri i besimtarëve arrin deri në 4600 persona.
Nëpërmjet përdorimit të gjeometrisë, si një mjet i pashtershëm në artin dhe arkitekturën islame, elementët kryesorë si fasadat, kupolat apo minaret, vijnë në mënyrë autentike në këtë xhami. Materialet u zgjodhën me kujdes për të krijuar ndjenjën e të përkohshmes, për t’i ftuar njerëzit t’i kujtojnë vetes se si jetojnë në raport me kohën dhe Krijuesin. Zgjedhje të tilla janë: përdorimi i veshjes së mermerit në fasadë, e cila mbetet e palodhur në kohë; mbulimi i kupolës me bakër, gjë që koha e sjell në forma edhe më dinjitoze ndër vite; ose mbulimi me dru në ambientet e brendshme, i cili në bashkëpunim me ndriçimin natyral mundëson një atmosferë më afër shpirtërores dhe hyjnores.

Nje koment