Është ndarë nga jeta Ylli Çabiri. Ai ka qenë ministër në qeverisjen e Vilson Ahmetaj dhe më pas i është përkushtuar kërkimit dhe drejtimit shkencor.
Kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian llatja, ndau lajmin e hidhur, përmes një postimi në rrjetet sociale. – “️Me shumë pikëllim mora lajmin se një personalitet i rrallë i Elbasanit, miku Ylli Çabiri e humbi betejën e tij me sëmundjen”, shkroi ai.
“Ylli ishte qytetari model, prindi i përkushtuar, profesionisti i një niveli ndërkombëtarë që i dha shumë Elbasanit dhe Shqipërisë. Ai do të mbahet mend si një prej ekspertëve më të shquar të viteve të vështirë të tranzicionit, ku mbajti dhe pozicione kyç në qeveritë e viteve ‘90. Ngushëllime familjarëve, miqve e bashkëpunëtorëve të tij që humbën një njeri të rrallë”, ka qenë mesazhi i kryebashkiakut Elbasanas.
Ylli Çabiri lindi në qytetin e Elbasanit dhe është diplomuar në Universitetin e Tiranës, në fakultetin e Inxhinierisë. Studimet pasuniversitare i kreu në Francë në universitetin “Paris XI”. Fitoi vlerësimin “Shkëlqyer” nga universiteti francez për studimin e tij të doktoraturës mi Çeliqet Shqiptare. Deri në vitin 1988 la punuar si: Drejtues i Institutit të Studimeve dhe Projektimeve Siderurgjike, më pas Drejtor në Këshillin e Ministrave, Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit me Jashtë dhe Zëvendësministër i Tregtisë së Jashtme.
Në vitet e para të demokracisë, u emërua Ministër i Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë në dy qeveri; Qeverinë e Stabilitetit, të drejtuar nga Z. Ylli Bufi dhe Qeverinë Teknike të drejtuar nga Z. Vilson Ahmeti. Më pas punoi si Këshilltar i Ministrit të Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë, Ekspert Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Vlerësimit të Financimeve të Bashkimit Europian në shtete të ndryshme të Ballkanit, Këshilltar Politikash i Ambasadori të OKB në Tiranë dhe Këshilltar i Kryeministrit. Që prej vitit 1999 ka punuar Drejtor Ekzekutiv dhe President i Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor, (HDPC) në Tiranë.