Vrasja e Pjerin Xhuvanit, Prokuroria e Elbasanit kërkon dëshminë e deputetit Gazment Bardhi

Ditën e sotme u zhvillua seanca e radhës për vrasjen e Pjerin Xhuvanit në Elbasan. Prokuroria paraqiti kërkesën që në mesin e dëshmitarëve të ishte edhe deputeti demokrat Gazment Bardhi. Prokuroi kërkoi që Bardhi të thirret dhe të japë dëshminë si person që ka dijeni për ngjarjen.

Pjerin Xhuvani mbeti i vrarë në Elbasan pasi u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike, Gazment Bardhi. Nga ngjarja e 21 prillit, të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota. Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një grupi të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend. Këtë e bëri publik me zë dhe me figurë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi duke bërë me dije se Arbër Paplekaj që vrau Xhuvanin të paarmatosur, ishte pjesë e kësaj strukture.