Vrasja e ndodhur në Elbasan, dënohet me 22 vite burg Arbër Paplekaj, shpallen fajtorë edhe dy ish-nëndrejtorët e policies.

Gjykata e Elbasanit ka shpallur fajtor ish-efektivin e repartit RENEA, Arbër Paplekaj, për vrasjen e ish-simpatizantit të PS-së, Pjerin Xhuvani, duke e dënuar me 22 vite burgim për akuzën e vrasjes në rrethana cilësuese.

Ngjarja në fjalë trazoi rendin dhe situatën politike në vend dhe veçanërisht në qytetin e Elbasanit, pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit 2021. Në atë kohë, Arbër Paplekja ishte pjesë e “Strukturës për mbrojtjen e votës” së PD dhe pretendoi se ishte ndjerë i rrezikuar për jetën kur përdori armën e zjarrit ndaj Pjerin Xhuvanit.

Në fakt, këtë qëndrim mbajti pas vendimit edhe avokati mbrojtës i Paplekajt. “Në dy vite që është zhvilluar ky gjykim, kam jetuar edhe me dhimbjen që i është shkaktuar të ndjerit Pjerin Xhuvani dhe shfrytëzoj rastin. Që në fillim, si nga policia dhe nga prokuroria, ka pasur një përpjekje për të fshehur episodet e kësaj ngjarjeje dhe në mënyrë të veçantë edhe akteve të mëvonshme që e kanë deformuar këtë ngjarje.

Unë dhe Arbër Paplekaj kemi qenë që në fillim për të shkuar tek e vërteta. Gjykata ka rrëzuar disa kërkesat tonat që lidheshin me sqarimin e së vërtetës të ngjarjes. Rrëzimi i kësaj kërkese ka qenë refuzim për të mësuar të vërtetën dhe për të shkuar tek e vërteta. Arbër Paplekaj ka qëlluar me armë, por mënyra dhe rrethanat pse ka qëlluar nuk janë marrë përsipër. Vendimin do ta ankimojmë në Gjykatën e Apelit”, tha Marash Martinaj, avokati i Arbër Paplekajt pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan.

Në të njëjtin proces, gjykata shpalli fajtor dhe i dënoi me nga 1 vit shërbim prove edhe dy ish-nëndrejtorët e policisë së qarkut të Elbasanit, Nikollaq Palla dhe Alnert Nushi, të akuzuar për shpërdorim detyre në lidhje me këtë ngjarje.

Gjithashtu, fajtor për shpërdorim detyre u shpallën edhe 6 efektive të repartit shqiponja, të cilët u dënuan me 16 muaj shërbim prove. Efektivët e policisë në këtë proces u akuzuan nga Prokuroria se nuk vepruan si duhet në momentin e ngjarjes. Ky vendim duket se ka lënë të pakënaqur të gjithë personat e akuzuar, të cilët janë shprehur se do ta apelojnë në Gjykatën e Juridiksionit të Posaçëm të apelit në Tiranës.