Një 38 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet se ka vjedhur 17 mijë euro në banesën e vëllait të tij. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në prill të vitit të kaluar, ndërsa policia e Elbasanit njoftoi sot arrestimin e Elton Muçës.
Policia thotë se po procedohet penalisht bashkëshortja e tij, bashkëpunëtore në këtë vjedhje.
“Nga veprimet hetimore dyshohet se këta dy shtetas, më 23.04.2023, kanë vjedhur 17 000 euro në banesën e shtetasit M. M., në fshatin Bathës” informoi sot policia.
Operacioni u kodua “Bathës”
Si rezultat i këtij operacioni u kap dhe u vu në pranga Elton Muça, 38 vjeç, banues në fshatin Bathës, në zbatim të urdhrit të ndalimit nga Prokurori, për veprën penale “Vjedhja”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen K. M., 37 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit E. M.).
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti i shtetasit E. M., të cilin ky shtetas dyshohet se e ka blerë me paratë e vjedhura.