Friday , July 11 2025

Vjedhje, dhunë dhe përndjekje, katër të arrestuar në Elbasan

Katër persona janë arrestuar në Elbasan ndërsa dy janë në gjendje të lirë për vepra të ndryshme penale.

Kështu specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë 20-vjeçarin I. K., për veprën penale “Drejtimi i automjetit në mënyrë të parregullt”, pasi duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur, është përplasur me murin rrethues të një banese.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan kanë kapur dhe ndaluar shtetasit:

– K. K., 25 vjeç, banues në Elbasan. Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me vendimin e datës 11.05.2023, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin R. H., i cili është arrestuar më datë 09.05.2023, kanë tentuar të vjedhin në një servis automjetesh;

– A. B., 24 vjeç, banues në Lushnjë, pasi për të ka bërë kallëzim një 24-vjeçare se ai e ka përndjekur dhe kanosur vazhdimisht, si dhe i ka marrë një shumë parash;

– A. J., 23 vjeç, banues në Elbasan, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Elbasan dhe Peqin kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit:

– A. P., 63 vjeç, banues në Elbasan dhe M. Ç., 66 vjeç, banues në Peqin, pasi u kapën nga shërbimet e Policisë, duke kryer punime ndërtimi, pa lejen përkatëse.

Sipas policisë materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.