Kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja, së bashku me deputeten Sara Mila, vizituan fabrikën e vajit të ullirit “Doci” në Papër, një nga investimet më moderne në fushën e agropërpunimit në qarkun e Elbasanit dhe më gjerë. Fabrika përfaqëson një shembull të shkëlqyer të ndërthurjes së traditës shqiptare me teknologjinë bashkëkohore europiane.
Gjatë vizitës, Llatja u njoh nga afër me të gjithë procesin e prodhimit të vajit të ullirit, nga përpunimi i kokrrës deri te ambalazhimi final me logon “Made in Albania”, që tashmë konkurron denjësisht në tregjet ndërkombëtare.

“Është një fabrikë e prodhimit të vajit të ullirit ku prodhohet vaj si për tregun vendas, ashtu edhe për eksport. Një fabrikë me teknologji të re të përpunimit, ku kokrra e ullirit kthehet në vaj të pastër, cilësor dhe plot shije. Janë disa lloje ulliri që përpunohen këtu dhe kthehen në vaj në fabrikën ‘Doci’,” u shpreh kryebashkiaku.
Në qendër të këtij investimi qëndron historia e Fatmirit, i cili pas shumë viteve emigrim në Itali është rikthyer në vendlindje për të investuar në Papër, së bashku me familjen. Ndërkohë, Ritch, i lindur, rritur dhe shkolluar në Itali, ka ndërtuar një ekspertizë të veçantë për varietetet e ullirit shqiptar dhe sot drejton me pasion biznesin familjar.

Fatmiri shpjegon se sekreti i një vaji cilësor qëndron edhe te përzgjedhja dhe miksimi i varieteteve të ndryshme të ullirit, ky proces profesional kryhet me kujdes në fabrikë, duke siguruar një produkt final të standardeve të larta. Fabrika ka kapacitet prodhimi deri në tre ton vaj në orë, ndërsa është krijuar edhe një infrastrukturë moderne për magazinimin e vajit.
Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit të vajit të ullirit “Doci” eksportohet tashmë drejt tregjeve ndërkombëtare, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Nga Papri deri në SHBA”, siç e theksojnë vetë prodhuesit, është tashmë një histori suksesi për produktet shqiptare.
Kryebashkiaku Llatja vlerësoi faktin që vaji i ullirit të Elbasanit po gjen tregje të reja jashtë vendit.
“Kemi pasur një shtim të prodhimit të vajit të ullirit dhe gëzohemi që fermerët tanë kanë gjetur tregje të reja. Deri para pak vitesh, tregu kryesor ishte Italia, por tashmë një pjesë e prodhimit shkon edhe drejt SHBA. Certifikimi i vajit të ullirit ka qenë pika më kryesore, analizat, kujdesi për të qenë sa më bio dhe i përshtatshëm për tregjet ndërkombëtare janë thelbësore. Kemi pasur një rritje të numrit të fabrikave të vajit në Elbasan. Fabrika ‘Doci’, me teknologji moderne, ka tre vite që është hapur dhe ne i kemi mbështetur dhe këshilluar fermerët tanë që të dalin në treg me produkt të certifikuar dhe me paketim sa më cilësor. Po punojmë me Grupin Vendor të Veprimit për t’i orientuar fermerët drejt tregjeve të reja dhe certifikimit të produkteve të tyre. Vaji ekstra i virgjër ‘Doci’ është fantastik,” u shpreh Llatja.

Deputetja Sara Mila e cilësoi këtë model si një shembull të qartë të standardizimit që kërkohet sot në sektorin agro-ushqimor.
“Është një model i jashtëzakonshëm standardizimi. Jemi tashmë në momentin ku duhet të plotësojmë standardet që i kërkohen produkteve ushqimore për të shkuar bindshëm drejt Europës. Arritja e standardeve dhe rregullave europiane na jep certifikatën që produkti ynë të jetë i domosdoshëm dhe konkurrues në tregun europian,” tha ajo.
Fabrika “Doci” në Papër shihet sot si një histori suksesi “Made in Albania”, ku përvoja e emigracionit, kthimi në atdhe, dashuria për tokën dhe standardet europiane bashkohen në një produkt të vetëm, vajin cilësor të ullirit të Elbasanit, që shkon nga ferma shqiptare drejt tryezave europiane dhe amerikane.
ElbasaniPlus Lajmet më të fundit nga Elbasani dhe jo vetëm.