Vizitë në fabrikën e re moderne të Petëzimit/ Llatja: Të parët në eksportin e materialeve të çelikut

Kryetari i bashkisë së Elbasanit z. Gledian Llatja ka qenë pranë ambienteve të Kurum SH.A ku ka vizituar nga afër fabrikën e re moderne të Petëzimit, që i shtohet kompleksit më të madh në Rajon të prodhimit dhe përpunimit të hekurit dhe çelikut.

Z. Llatja është pritur nga inxhinieri i fabrikës, i cili e ka prezantuar me punën dhe proceset e fabrikës si edhe e ka njohur me ambientet e reja. “Në janar 2021 ka filluar prodhimi. Kemi 2500 ton prodhim në muaj. Të gjitha makineritë dhe pajisjet janë të teknologjisë së fundit dhe të reja. Kemi bërë një investim të duhur për këtë vend. Furnitori ynë kryesor është Kurum, me të cilin kemi një marrëdhënie perfekte. 93% e prodhimit shkon për eksport dhe 7% shkon për tregun vendas. Aktualisht kemi 90 persona të punësuar dhe jemi edhe në kërkim të punëtorëve duke bërë në këtë mënyrë më të mirën për vet qytetin.

Vitin e ardhshëm është planifikuar që bëhet investimi i linjës së dytë, kjo do të sjellë rritje kapaciteti si në prodhim ashtu edhe në fuqinë punëtore.”- ka thënë ndër të tjera inxhinieri.

Z. Llatja është shprehur se: “Është një kënaqësi që ndodhem në një nga ambientet e reja në ish- zonën industriale të metalurgjisë. Ka gati një vit që ka filluar punë edhe fabrika e re e petëzimit. Ky është një investim shumë i mirë, i cili e ka ndihmuar shumë ekonominë lokale si dhe ka rritur eksportet me vendet europiane dhe jo vetëm. Siç e përmendi edhe inxhinieri, aktualisht janë 90 të punësuar, por që me investimin e ri që pritet të bëhet në vijim, ku edhe bashkia Elbasan po jep suportin e saj, pritet edhe dyfishimi i kapaciteteve të prodhimit edhe të të punësuarëve. Aktualisht po prodhohen 2500 ton në muaj dhe shpresojmë që të shkohet në 5 mijë tonë. 90% e prodhimit shkon për eksport dhe kjo e bënë Elbasanin edhe këtë vit eksportuesin kryesor në vend të produkteve shqiptare, kryesisht me materialet e çelikut në vend të parë, ferrokromit dhe po synohet edhe për përpunimin e produktit të peshkut.

Çmimi i energjisë elektrike ka ndikuar në një sërë sektorësh të ekonomisë,por në fabrikë vazhdon prodhimi normalisht. Në këto momente po bëhen gati disa stoqe që do dërgohen për eksport. Janë  40 shtete në të cilat eksportohet prodhimi i fabrikës së re të petëzimit.”- përfundoi Llatja.